Mbrëmja e maturës është ngjarja e madhe e çdo adoleshenti që shënon edhe mbylljen e një faze si gjimnazi. Por ndërsa maturantët veç provimeve, kanë nisur përgatitjet edhe për mbrëmjen e madhe ku do të jenë ata yjet e saj, në gjimnazin “Myslym Keta” në Tiranë, Savina ka njoftuar shokët e klasës se nuk do të jetë me ta në natën e madhe. Ndaj, bashkë me mësuesen kujdestare, ata i kërkuan ndihmë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan për të bindur shoqen e tyre.
Arsyeja pse Savina iu ka dhënë për mungesën e saj është transporti, të cilin, edhe gjatë bisedës në makinë me moderatorin Ardit Gjebrea, ajo e konfirmon si diçka që nuk mundet ta mbulojë. Me zë të trishtuar, ajo pohon se mbrëmja e maturës nuk ka qenë prioriteti i saj si vajzat e tjera, nuk ka menduar as për fustanin, grimin apo flokët. Kësaj sigurisht i shtohet edhe vështirësia ekonomike në të cilën ndodhet familja e saj.
Shokët e klasës i shprehën Arditit se ata do t’i mbulojnë biletën shoqes së tyre. Ndërkohë moderatori e dërgoi Savinën në duart e Joni Peçit ku ajo zgjodhi fustanin që ”E diela shqiptare” dhe stilisti i kanë dhuruar për t’u ndierë si një princeshë. Më pas, ajo iu dorëzua profesionistëve që zbukuruan fytyrën dhe flokët e saj, teksa nuk ishte aspak në dijeni se në zbulimin final, Arditi e pret në dhomën tjetër së bashku me shokët e klasës dhe mësuesen.
Mësuesja: S’kam fjalë! Shumë e bukur Savina! Asnjëherë s’të kishim parë kështu. Princesha e mbrëmjes je ti!
Ardit Gjebrea: Si të duket vetja?
Savina: S’e mendoja kurrë kështu, ku po shkoja, ç’po bëja.