Me rritjen e pandalshme të çmimeve, jo vetëm të produkteve ushqimore, por edhe të karburantit dhe energjisë elektrike, qeveria ka gati një paketë të dytë financiare.

Report TV mëson se Ministria e Financave dhe e Infrastrukturës kanë hartuar një draft të ri që mbështet familjet dhe biznesin e vogël, dhe që së shpejti pritet të prezantohet edhe publikisht.

Burime nga këto institucione, thonë se Paketa e dytë është krijuar për të përmbushur boshllëqet e së parë. Nëse në paketën e parë financiare që mbyllet këtë qershor, qeveria vendosi tu japë pensionistëve dhe familjeve në nevojë nga 3 mijë lekë për 3 muaj, në paketën e dytë, kompensimi për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, do të zgjerohet, çka mund të nënkuptojë kategori të tjera që përfitojnë rimbursim, ose dhe rritje e vlerës mujore të mbështetjes.

Paketa e dytë mbështetëse, do të jetë në fuqi deri në fund të vitit. Të njëjtat burime saktësuan për Report Tv se për shkak se kriza e çmimeve po vijon dhe inflacioni është në rritje, po shqyrtohet mundësia që edhe gjatë vitit 2023 qeveria të ndërhyjë me paketa mbështetëse për qytetarët.

Familjet shqiptare përmes kësaj pakete të dytë, nuk do të ndjejnë rritjen e cmimit të energjisë elektrike të paktën deri në fund të vitit. Energjia e shpenzuar do të faturohet me çmimin e pandryshuar 9.5 lekë për kilovat, ndërsa cdo kosto shtesë të cmimit të rritur nga importi, do e përballojë qeveria.

Biznesin e vogël dhe të mesëm që energjinë duhet ta sigurojnë me çmimin e tregut të lirë, qeveria e mori në mbrojtje nga janari deri në qershor duke i caktuar një cmim tavan më të ulët se i tregut, dhe e njëjta mbështetje do të vijojë edhe me paketën e dytë financiare deri në fund të vitit.

Paketa e parë që është aktualisht në fuqi parashikonte indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për 576 mijë pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej cmimi i transportit publik, fond 20 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.