Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri i vendit Edi Rama ka bërë të ditur se nga data 1 Korrik do të nisë aktivizimi i gjobave për të gjithë ata tregtarë të cilët nuk zëvendësojnë qeset plastike me ato prej letre.
Kryeministri Rama shkruan se është mirë të shohësh si shumë blerës po marrin trasta për të bërë Pazar teksa shton se kështu mbrohet Shqipërinë nga dëmi i qeseve plastike mbi mjedisin dhe shëndetin.
“Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës. Sa mirë të shohësh që përditë e më shumë tregtarë po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qeset e shëndetshme të letrës, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për pazar. Kështu mbrojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë nga dëmi i frikshëm i qeseve plastike mbi mjedisin dhe shëndetin. Në 1 Korrik nis aktivizimi i gjobave!”
Në fillim të muajit Qershor ka hyrë në fuqi ligji për heqjen e qeseve njëpërdorimëshe në vendin tonë, përfshi edhe ato të biodegradueshme.