Nga Roland Qafoku
Më 24 korrik Bajram Begaj pritet të marrë detyrën e lartë të presidentit të Republikës. Për pesë vjet ai do jetë në zyrën e kreut të shtetit, si i 11-ti në këtë post në historinë Shqipërisë. Përpara ka një sfidë dhe pothuajse të gjithë janë në dilemë se si do ta kryejë ai këtë detyrë? Si do sillet me Partinë Socialiste që e zgjodhi dhe si do sillet me Partinë Demokratike që e kundërshtoi zgjedhjen e tij. Si do sillet ai me LSI-në dhe Ilir Metën që pritet të kthehet në krye të saj, pikërisht për paraardhësin e tij që firmosi dekretin pa një pa dy që nga Stambolli? Si do t’ia dalë për pesë vjet politikës sonë grindavece dhe me politikanë që nuk i besojnë njëri-tjetrit. Si do sillet me median që nuk do lërë gur ti zbulojë gjithçka? Si do sillet me ndërkombëtarët, me ambasadorët e akredituar në Tiranë, veçanërisht me ambasadoren aktuale amerikane, por edhe atë që do vi pas saj. Me shumë modesti, kam përmbledhur 10 këshilla miqësore që shpresoj ti vlejnë.
1. Zoti President! Sapo të marrësh detyrën do kesh një periudhë të shkurtër mjalti. Do të duan të gjithë. As vetë nuk do ta imagjiniosh sa do të duan më 24 korrik. Në ceremoninë e marrjes së detyrës do të urojnë të njohur e të panjohur. Ata që të zgjodhën, ata që rrudhën buzët përse u zgjodhe, por edhe ata që thanë hapur “ç’është ky që u zgjodh”. Edhe pas datës 24 do të duan për disa ditë. Të majtët po se po, por edhe të djathtët. Media do të ngjitet si bleta kosheres dhe do jesh stari i saj. Por mos u gëzo shumë! Kjo dashuri do të zgjasë shumë, shumë pak. E shumta një muaj. Gëzoje muajin e mjaltit presidencial! Është periudha më e bukur e jetës në presidencë. Por, vetëm kaq ama. Pastaj nis presidenca e vërtetë. Kujdes! Aty nis malorja e detyrës. Ose nëse përdorim terminologjinë ushtarake: Kjo është prova e zjarrit!
2. Zoti President! Ajo që do të vlejë që në fillim të pounës tënde do jetë stafi që do përzgjedhësh. Ka shumë rëndësi kjo. Vërtetë që presidenca do ketë fytyrën tuaj, por fytyra e tjtër e presidencës do jenë këshilltarët që do keni. Ata janë opinionbërësit e parë në publik. Nuk e imagjinon dot se sa rëndësi kanë. Si do jenë ata, do jeni edhe ju. Në fakt në presidencë janë disa asete që disa paraardhësit tuaj i kanë mbajtur sepse vlejnë. Arben Cici, Edwin Shvarc, Ilda Zhulali, Flamur Gashi, Ylli Asllani, e ndonjë tjetër, janë aty se vlejnë dhe jo se janë me ndonjë parti apo besnikë symbyllazi të ndonjë presidenti. Mbaji një pjesë! Kanë përvojë duke menaxhuar situata nga më të ndryshmet dhe për ju do jenë ndihmë e jashtëzakonshme. Sigurisht që do marrësh me vete këshilltarë të rinj dhe besnikë. Përgjidh ata më të mirët, ata më profesionistët dhe ata më me integritet dhe jo ata servilët që përpara se të këshillojnë do kenë aftësi të kuptojnë se çfarë mendoni ju dhe më pas flasin. Kujdes nga këshilltarët e sugjeruar nga lart. Jo vetëm nuk do të bëjnë punë, por do të dëmtojnë.
Një këshillë për zëdhënësin për median. Ka një rëndësi të tillë që siç thoshte Barack Obama “unë jam ai që media thotë se jam” dhe rripi i transmesionit mes jush dhe medias do jetë pikërisht zëdhënësi që do zgjidhni. Janë dy shembuj ekstremë në SHBA: Donald Trump e mbajti në punë vetëm 10 ditë drejtorin e medias Anthony Scaramucci vetëm se u bë publikë një bisedë jo e përshtatshme e tij me një gazetar. Por ama ka nga ata si James Rubin që ndonëse me detyrën ndihmës sekretar për marrëdhëniet me publikun u bë zëdhënësi real i presidentit Bill Clinton dhe më pas edhe i sekretares Madaleine Allbright. Ai kishte një ndikim te media sa askush nuk e ka arritur sot. Sa për modelin tonë, nuk po ju përmend emra se do ti paragjykojnë dhe do thonë se ishin besnikë të atij apo këtij presidenti dhe kasaj apo asaj force politike. Zgjidh më profesionistin, më komunikuesin dhe më të përulurin ndaj punës. Ndryshe, media nuk do ta falë nëse do zgjedhësh ndonjë kokorrosh që fryhet vetëm e vetëm se do jetë në krahun tuaj. Apo arrogant që do mendojë se të jesh në majë të shtetit për të është sit ë jetojë mbi re.
3. Zoti President! Vërtetë je gjeneral dhe arrite në majë të ushtrisë, por maja e shtetit nuk është e tillë. Që në shtator do të nisë lufta ndaj teje. Në front të gjerë madje. Përgatitu realisht për luftë të fortë politike. Do t’ju sulmojnë, do ju anatemojnë, do tju denigrojnë. Do t’ju gjejnë detaje nga jeta reale dhe joreale. Do habiteni edhe vetë nga ato që do t’ju akuzojnë. Mësohu zoti president! Është anije e vështirë Shqipëria politike. Nuk është as spital e as ushtri. Duhet ta drejtosh në një det me stuhi e tufan dhe për pesë vjet jeta juaj presidenciale, në disa momente do jetë ferr i vërtetë.
4. Zoti President! Kujdes nga politikanët e majtë! Të gjithë do të duan t’ju kenë. Të gjithë do të duan t’ua kthesh borxhin që të bënë president. Do të duan të firmosësh ç’të vënë përpara. Nëse do bëni këtë do humbisni shumë në opinionin publik. Nëse do ti kundërshtoni, do marrësh zemërimin e tyre. Nëse do firmosësh atë që duhet, do marrësh bekimin e të gjithëve. Edhe presidentin Alfred Mosiu e zgjodhën socialistët me propozim të demokratëve. Por ama ai gjatë presidencës nuk u bë as me njërën palë e as me tjetrën. Firmosi dekrete duke parë kushtetutën dhe sot ka lënë pas një emër të mirë si president. Bëjeni edhe ju si ai! Vërteto që ju zgjodhi PS-ja por presidenti është i të gjithëve.
5. Zoti President! Kujdes nga politikanët e djathtë. Për Partinë Demokratike do jesh tabela e re dhe shenja e përhershme e sulmeve. Do t’ju quajnë marionetë e Edi Ramës. Do ta quajnë presidencën istikami i fundit që që mori ai mes megapushtetit që ka. Vërteto të kundërtën! Vërteto që vërtetë Rama ju zgjodhi, por kushtetuta është shumë më lart se Edi Rama, PD-ja dhe ju vetë. Prandaj pavarësisht sulmeve që do t’ju vinë nga PD, mbajeni presionin dhe sulmin e tyre. Respektojeni opozitën, takojini përfaqësuesit e saj dhe mos u bëni pjesë e sherreve brenda tyre! Opozita është aset i politikës. Parimet do jenë mbi të gjitha. Do tju vlerësojë koha më shumë se sa momenti që mund të kaloni.
6. Zoti President! Përgatituni që raportet me median do jenë të çuditshme. Prisni vetëm pak! Siç e thamë më lart, periudha e mjaltit është e shkurtër. Pastaj për median do jesh në syrin e ciklonit. Përgatitu mirë për këtë! Media do të sulmojë juve personalisht, por edhe familjen tënde. Do gjejnë qimen në vezën e zier dhe gjilpërën në kashtë. Mësohuni duke u futur në ujë të nxehtë dhe të ftohtë njëkohësisht! Presidenca nuk do jetë udhëtim në vakancë, por e krahasueshme me një luftë të pandërprerë. Mbani me vete uniformën e luftës, helmetën, antiplumbin dhe të gjitha pajisjet e tjera ushtarake. E rëndësishme është që të jeni në rregull. Mos bëni selektime dhe mos krijoni preferenca. Ndryshe edhe ata që ju duan do tju kthehen kundër.
7. Zoti President! Kujdes nga pronarët e mediave! Gazetarët janë njëra gjë, pronarët një gjë tjetër. Sidomos pronarët e televizioneve konkurojnë mes tyre se kush e kush do të ketë ty më shumë, kush ndikon dhe do diktojë më shumë. E keni vënë re zoti president që nuk ekzistojnë më realisht reporteri, kryeredaktori, drejtori? Me pak përjashtime, në Shqipëri fatkeqësisht ka vetëm pronarë mediash. Ata dhe vetëm ata përcaktojnë jo vetëm linjën editoriale, por edhe botimin dhe mënyrën se si duhet të shkruhet lajmi. Rrinë me celular në dorë dhe kontrollojnë çdo gjë. Pjesa më e pakënaqshme e tyre është kur ju të vendosni kontakte direkt me gazetarët dhe pronarët e medias do t’ju thonë se kontaktet do ti keni vetëm me ata. Zoti President, kujdes! Mënyra se do do menaxhoni pronarët e këtyre mediave do jetë shumë përcaktuese në presidencën tuaj.
8. Zoti President! Kujdes nga servilët! Janë rraca më e ndyrë dhe më e pavlerë janë ata që të lëpihen dhe që njëkohësisht edhe kafshojnë. Do ti kesh me shumicë, sidomos në fillim. Besojmë se përvoja juaj jetësore dhe profesionale ka qenë e tillë që ju bën t’i kuptoni në ajër. Nëse nuk do ti lini t;ju lëpijnë, e sigurtë është se do t’ju kafshojnë. Prandaj kujdes! Mos i afro, se njësoj do ti kesh pasojat!
9. Zoti president! Kujdes nga diplomatët e huaj. Ata evropianë nuk kuptohen dhe aq shumë. Nuk kuptohen kur e kanë mirë dhe kur jo. Vetëm SHBA bën përjashtim. Ai president që ka patur raporte normale me SHBA, vaj i ka ecur. Me ambasadorët e Evropës ndryshon puna. “Ke bërë përparime” i thonë Shqipërisë e cila u rri të gjithëve lepe peqe, por “Ke bërë përparime” i thonë edhe Serbisë që vijon të mos kërkojë falje për luftrat që ka zhvilluar dhe që njërin sy dhe këmbë e ka në Rusi. Me SHBA është ndryshe. Nga vendi përtej Atlantikut Shqipërisë i kanë ardhur vetëm të mira. Edhe shtetin tonë por edhe atë të Kosovës i kemi projekte ekskluzive të SHBA dhe si të tillë mirënjohja duhet ta na shoqërojë përherë. Sovranistë në luftë ndaj SHBA nuk vlejnë.
10. Zoti president! Mirë është të krijoni një model tuajin që do donit ta ndiqni. Në fakt, jeni me fat sepse tashmë Shqipëria politike ka modele se si mund të jetë një president i mirë dhe normal duke qenë jo i mirë me të dy palët. Ky është presidenti i 7-të, Alfred Mosiu. Modeli i tij ka marrë aq vlerësime saqë shkrimtari i madh Ismail Kadare i ka kushaur një strofë në një nga krijmet e tij të fundit. Shkroi Kadare: Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin/Çmimin Nobel a një veturë të re/Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit/Të zotit president me emër hebre. Ishte shumë e mirë idea që e takuat dhe morën këshilla prej tij, por ama jo vetëm i dëgjoni, por edhe i zbatoni këshillat e tij.