Në mbledhjen e komisionit që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit të kaluar, sot pritet të dëgjohen dëshmi rreth trysnisë që ish-presidenti Donald Trump ushtroi ndaj ish-nënpresidentit Mike Pence, që të ndalonte çertifikimin nga Kongresi të fitores së demokratit Joe Biden.

Zoti Pence po drejtonte seancën e përbashkët të dy dhomave të Kongresit dhe ndërsa ligjvënësit ishin në fazat e para të numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor, rreth 2,000 mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin, me synimin për të bllokuar procesin.

Pak përpara se të mblidhej Kongresi, privatisht dhe publikisht, në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë, zoti Trump i kërkoi zotit Pence, që të refuzonte numërimin e votave elektorale dhe t’ua rikthente rezultatet sërisht shteteve të kontrolluara nga republikanët, në mënyrë që ato të urdhëronin zhvillimin e zgjedhjeve të reja, ose të caktonin elektorë të tjerë, pro zotit Trump.

Por zoti Pence, i cili gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë i kishte qëndruar besnik zotit Trump, e refuzoi një kërkesë të tillë. Ai tha se roli i tij përcaktohej nga Kushtetuta dhe kufizohej vetëm në hapjen e zarfeve me votat e Kolegjit Zgjedhor nga secili shtet.

“Nuk kisha asnjë të drejtë të përmbysja rezultatin e zgjedhjeve“, ka thënë zoti Pence, i cili gjithashtu kishte detyrën të çertifikonte edhe humbjen e tij ndaj demokrates Kamala Harris, tashmë në detyrën e nënpresidentes.

Me njoftimin nga ana e zotit Pence, se nuk do ta pranonte kërkesën e zotit Trump, disa nga protestuesit, që u futën në Kapitol, filluan të bërtisnin “Varni Mike Pence-n!”, ndërsa kalonin barrikadat e sigurisë, duke u përleshur me policinë dhe duke plaçkitur zyrat e ligjvenësve.

Ligjvënësja republikane Liz Cheney, në cilësinë e nënkryetares së komisionit hetimor dhe kundërshtarja më e zëshme e zotit Trump në komision, tha javën e kaluar, se ish-presidenti, i cili po e shihte kaosin në televizion nga Shtëpia e Bardhë, u tha ndihmësve të tij, se ishte dakord me idenë se zoti Pence duhej varur.

“Ndoshta mbështetësit tanë kanë të drejtë. Mike Pence e meriton një gjë të tillë“, dyshohet të ketë thënë zoti Trump.

Zonja Cheney tha gjithashtu se “Presidenti Trump besonte, se mbështetësit e tij në Kapitol, po bënin ‘atë që duhet të bënin’ “, duke iu referuar fjalëve të tij.

“Kjo është ajo, që ai i tha ndihmësve të tij, ndërsa ata i luteshin t’i bënte thirrje mbështetësve të tij të largoheshin“, tha zonja Cheney.

Duke informuar gazetarët përpara seancës së sotme, ndihmësit e komisionit thanë se seanca do të përqëndrohet pjesërisht në mënyrën se si fushata e trysnisë nga ana e zotit Trump, vuri në rrezik jetën e zotit Pence.

“Do të shihni dokumente të reja mbi atë ditë, ku ishte nënpresidenti dhe çfarë po bënte ai“, tha një ndihmës i komisionit, duke folur në kushte anonimiteti.

Marc Short, i cili ka shërbyer në detyrën e shefit të personelit të zotit Pence e që sipas të dhënave paralajmëroi Shërbimin Sekret për një kërcënim të mundshëm ndaj jetës së ish-nënpresidentit, nuk do të dëshmojë drejtpërdrejt, por pjesë nga dëshmitë e tij të filmuara paraprakisht, do të transmetohen gjatë seancës dëgjimore.

Në një video-mesazh, që i parapriu seancës, zonja Cheney iu referua vendimit të fundit të një gjykatësi federal, sipas të cilit, zoti Trump mund të ketë kryer dy krime federale duke ushtruar trysni ndaj zotit Pence.

Në përgjigje të seancave të komisionit, ish-presidenti Trump lëshoi një deklaratë prej 12 faqesh të hënën, duke e quajtur hetimin një përpjekje të demokratëve për ta penguar atë të rikandidojë për zgjedhjet e vitit 2024.

Seanca dëgjimore e së enjtes, është e treta në një seri të tillash të planifikuara gjatë këtij muaji për të treguar se si ndodhi sulmi i dhunshëm dhe cili ishte roli i zotit Trump, i cili ftoi mbështetësit e tij në Uashington, duke u kërkuar të “luftojnë me gjithë fuqinë” për ta mbajtur atë në detyrë.

Më shumë se 800 vetë janë arrestuar me akuza që variojnë nga hyrja e paligjshme, kryerja e akteve vandale ndaj Kapitolit, tek sulmi ndaj policisë. Disa prej udhëheqësve të sulmit të dhunshëm janë akuzuar për komplot për të rrëzuar me forcë qeverinë.

Të hënën, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve shfaqi dëshmi të regjistruara të disa ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë të cilët thanë se i kishin kërkuar zotit Trump ditën e zgjedhjeve, që të mos e shpallte fitoren, këshillë që ai e injoroi, duke shpallur fitoren në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit 2020.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr dhe ndihmës të shumtë i kanë thënë komisionit se në periudhën kohore mes zgjedhjeve dhe sulmit ndaj Kapitolit, ata i kishin thënë zotit Trump se pretendimet e tij për manipulime në zgjedhje ishin të pabaza dhe se ai i kishte humbur zgjedhjet.

Zoti Barr tha në dëshminë e transmetuar nga komisioni, se shumë nga pretendimet e zotit Trump për parregullsi në votime ishin “plotësisht false dhe qesharake”.

“Natyrisht, ai i humbi zgjedhjet. Nuk kishte asnjë bazë provash të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve“, tha zoti Barr në dëshminë e tij./VOA