Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka ironizuar qëndrimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike përgjatë të gjithë procesit të zhvilluar për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja u shpreh se kjo pjesë e grupit të PD-së, fliste gjatë negociatave vetëm me qëllimin që të legjitimoheshin brenda opozitës duke shpresuar që t’i dëgjonte Sali Berisha.

Spiropali tha se përjashtimi dhe bojkoti ishin një tjetër shkak që e bënë opozitën jo elastike.

FJALA E PLOTE E MINISTRES SPIROPALI

Elisa Spiropali: Edhe nëse mund të ktheheshim 10 herë rresht pas, procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke patur parasysh se cili ishte rezultati i tij final, do votonim të njëjtën zgjedhje. Do votonim 10 herë rresht për kandidaturën e doktor Begajt dhe gjeneral major Bajramit. Tani që sporti kombëtar i kuriozitetit dhe përgjegjshmërisë, seriozitetit dhe përmbushjes së pritshmërive ka përfunduar, ja vlen të thuhen disa të vërteta të thjeshta, pikërisht se ishin në dritë të diellit, kanë ngritur paqartësi tek ata që nuk duan të shohin qartë, shumë zhgënjime tek ata që janë mësuar të gënjejnë. Shumë teori konspirative nga ata që konspiracionin e shohin si politikë dhe vetë politikën e njehsojnë me vetë konspiracionin. Si deputete dhe ministre e PS-së dhe në grupin e ngarkuar për negociata për zgjedhjen e Presidentit, do them disa të vërteta. Duke nisur me sinqeritetin e ofertës tonë politike, ne tentuam të respektojmë frymën e Kushtetutës që kërkon një President mbi palët. Ky ishte thelbi i ofertës tonë për opozitën të përfaqësuar nga grupi parlamentar i PD-së dhe grupet e tjera parlamentare në Kuvend. Nuk kishim prapavijë tjetër mendimi përveçse të identifikojmë mjetet e efektshme për të dalë tek zgjedhjet më të mira. Na keqkuptuan vetëm ata që nuk donin të na kuptonin. Dhanë një seri kushtesh, me legjitimitet të cënuar moral por edhe institucional, bashkëbiseduesit tanë vunë më shumë se një herë në dyshim legjitimitetin tonë, hodhën gurë në durimin tonë dhe vendosën kushte pas kushtesh. Një pakicë e rrudhur brenda pakicës, vendosnin kushte njëra pas tjetrës duke u bërë të qartë se në këtë proces, nuk ishte për të gjetur zgjidhjen e kërkuar, por e shihte procesin për t’u legjitimuar brenda opozitës.
Na flisnin ne por mendjen e kishin se çfarë dëgjonte ai personazhi makbethian që sapo foli, komunikonin me ne por sy i kishin tek i njëjti personazh. Diskutonin me ne por shihnin nga kamerat nëse personazhi po i shihte. Të frustruar dhe të paaftë për të reaguar politikisht. Përjashtimi dhe bojkoti ishin shkaqet që i bënë bashkëbiseduesit tanë jo elastik si guri dhe të lehtë në peshë si druri i thatë. Ishin muzikantët që nuk shihnin partiturat, por spektatorin që i ndiqte nga larg për t’i gjykuar. Ishte kaq e dukshme kjo gjë, ishte kaq e dhimbshme derexheja ku jo vetëm halli i kishte shtyrë bashkëbiseduesit tanë, ndihesha e keqardhur që sovrani që na ka peshuar me votë, nuk mund t’i mbante me gajret. Një pakicë nuk mund të vendosë kushte dhe të imponohet. Vetëm serioziteti dhe mençuria në propozim mund t’i jepte legjitimitet në këtë proces. Asnjërën e as tjetrën nuk mundën ta bëjnë. Në ishin të mposhtur nga mllefi brenda llojit, apo lloj e soj i tyre është mallkuar që të mos gjejë qetësi, kjo është një dilemë që nuk më takon ta zgjidhë. Dhe ndoshta janë të vërteta të dyja pohimet. Më shumë se zgjedhja, kjo pjesë e opozitës kujdesej që të ishte me alibinë e Alibeajt në xhep, ne përfshihemi por ju na jepni qorrazi votat tuaja. Deri në fund nuk patën mundësi të sillnin zyrtarisht propozime për të diskutuar.
Ndoshta ne trokitëm në derën e gabuar, por në politikë nuk mund të zgjedhës derën ku troket. Edhe pse aty ku vajtëm ne, trashëgimtarët e dyerve të blinduara, kishin mbetur me porta të shqyera, 5 a 6 kanaçe. Pjesa tjetër e grupeve parlamentare, ishin ku e ku më seriozë.​Ndoshta se nuk kishin në shpinë hijen e atij personazhi.
Ndjehem e keqardhur që nuk patëm mundësinë që të eksploronim të gjitha mundësitë për të gjetur një të mesme mes nesh si shumicë dhe atyre, por afria e tyre në gjumë me personazhin, ju kishte ngjitur dhe atyre pleshtin e dyshimit. Sa për aradhën kaotike të vetë personazhit, nuk po zgjatem shumë. Vota e tyre ishte dhe do të jetë non grata për ne dhe do të bënte pis procesin. Për sa i takon Partisë Socialiste, gjithçka është shumë më e qartë. Ne ishim të qartë se në Shqipëri ka shumë figura të cilat do t’i jepnin nder dhe seriozitet zyrës së Presidencës, e cila do t’i jepte nder dhe seriozitet bujtësit të saj pesë vjeçar. Përpara se të plotësonim lista me emra, ne ramë dakort për parimet që do të na çonin drejt emrave konkretë. Jo politik, jo i përfshirë në radhët tona dhe mbartës i një konsensusi sa më të gjerë publik. Jo sepse në radhët tonat mungojnë figurat që do i bënin nder asaj zyre të lartë, përkundrazi, disa nga emrat politikë ishin rrezatues dhe përfaqësues, por i tillë ishtë vullneti ynë paraprak të dhënë garancitë e plota publike se Presidenca nuk do ishte një zyrë e shumicës. Ne patëm disa dhjetra emra që i përmbushin këto kritere deri sa arritëm në një listë të shkurtuar që përmbushte vullnetin e kushtetutës. Secili prej tyre, grua apo burrë, pa përjashtim, meritonte votën e secilit nga ne. Nuk i bëmë publikë emrat më parë për dy arsye themelore: e para sepse pritëm që në tre raundet e para një gjë të tillë ta bënte opozita dhe e dyta, sepse nuk donim që ata t’i bënim mish për topat dhe mitralozat me tytyty të gojeprishurve të shumtë. Për të mbërritur tek emri i Doktor Begajt dhe general major Bajramit. Janë dy në një. Eshtë edhe doktori humanist, edhe ushtaraku i përkushtuar.
Eshtë edhe mjeku që shëron, është edhe ushtaraku që garanton. Ndaj, nëse do të kisha dhjetë vota, dhjetë herë do të votoja sërish për të. Konsensusin që pritëm nga opozita e dhanë qytetarët. Shihni reagimet e tyre. Konsensus i plotë për zgjedhjen. Madje, shumë më shumë edhe nga ju, të cilët u detyruan të mos vinin në sallë nga bojkoti i radhës, e kanë thënë hapur: një kandidaturë të cilën nuk mund ta votosh kundër. Kjo është arsyeja pse u bojkotua sërish dhe jo keqardhja juaj që e thoni hapur: na e hodhi sërish Edi Rama sepse propozoi kandidaturën e duhur. Nuk j’ua hodhi Rama, sic mendoni ju, por vetëm vizatoi identikitin e duhur të presidentit të ardhshëm. Mendoi politkisht dhe veproi qytetarisht! Kjo është arsyeja se pse tipi mungoi në sallë, edhe pse votën e tij nuk e donte askush, por që dinte se do të votonin kundër vullnetit të tij edhe shumë nga ata që ai i mban si truproje me mandat parlamentar. Nuk erdhi Luli sepse po ujitej në pishinë. Nuk erdhi Alibeaj, sepse i mungonte alibia e tij për mungesën në proces. Në fund edhe një fjalë për presidentin e shkarkuar politikisht nga ne, por ende në detyrë: Ilir Meta përmes dekretit të tij formal bëri aktin e duhur politik. Mezi e pres ta shoh sërish aty ku ka qenë për pesë vjet resht, në llogoret jo të opozitarizmit, por të logoresë kundër gjithckaje del nga shumica frymëzuar nga inati i fortë që prishi dhe theu edhe zyrën e vet. Njeriu që e dekretoi njëherë doktor Gjeneral major Bajram Begajn si shef të shtabit të përgjithshëm, nuk mund të ngrihej kundër firmës së tij. Tek modeli që po vjen në presidencë, edhe Iliri vetë, kur të jetë i lirë të mendojë pa pasion të sëmurë, do të shohë modelin që ai vetë ia refuzoi presidencës. Ne kemi padurimin qytetar të nisim bashkëpunimin institucional me Zyrën e Presidentit, atë bashkëpunim që urdhëron kushtetuta dhe që prêt dhe meriton qytetari evropian shqiptar. Ju faleminderit!!!