Ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani deklaron se nga Madridi delegacioni i Shkupit kthehet “me propozim të ri të modifikuar të Presidencës Franceze, i cili menjëherë do të vihet në proces konsultimi institucional dhe shqyrtimit publik”.
Osmani shtoi një “falënderim të madh për Presidentin Macron, të gjithë Presidencën e BE-së, si dhe për Kancelarin Olaf Scholz, për përpjekjet e tyre të veçanta për të siguruar një propozim të ri të rishikuar si një shans i ri për të zhbllokuar integrimin evropian të vendit dhe të rajonit në tërësi”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti disa ditë më parë tre kërkesat kryesore të vendit të tij për kornizën negociuese që janë: njohja e plotë e gjuhës maqedonase, çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës negociuese dhe që negociatat të fillojnë përpara përfshirjes së bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë.