Vladimir Putin lëshoi një breshëri akuzash ndaj Perëndimit në fjalimin e tij në forumin ekonomik të Shën Pjetërburgut.
Presidenti rus tha se Evropa do të humbasë mbi 400 miliardë euro vitin e ardhshëm për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, por jo vetëm kaq.
“Së fundmi, Bashkimi Evropian ka humbur sovranitetin politik dhe elitat burokrate të tij po zbatojnë urdhrat e të tjerëve, duke bërë gjithçka që u thuhet nga eprorët, duke i shkaktuar kështu dëme popujve të tyre, ekonomive të tyre dhe bizneseve të tyre”, u shpreh ai.
Kreu i Kremlinit shtoi se ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë nuk ishte shkak i problemeve ekonomike. Shkaku i vërtetë, sipas tij, u bënë politikat e Perëndimit.
“Rusia dhe veprimet e saj për të çliruar Donbasin nuk kanë lidhje. Sot, rritja e çmimeve, inflacioni, problemet me sigurinë ushqimore, karburantet dhe sektorin e energjisë në tërësi janë pasojë e gabimeve sistematike të administratës amerikane dhe burokracive evropiane”, theksoi Putin.
Presidenti rus foli edhe për fundin e udhëheqjes së botës nga Shtetet e Bashkuara dhe ritheksoi se Rusia do ta përmbushë pa hezitim misionin e saj në Ukrainë.