35 programe studimi janë shpallur me prioritet kombëtar nga Këshilli i Ministrave. Programet prioritare të detajuara lidhen me disa fusha të Shkencave Humane, Mësuesi, Shkenca Natyrore, Matematikë, Statistikë si dhe të gjitha degët e Inxhinierisë që kanë të bëjnë me tokën dhe minierat.
Një fokus i veçantë i është dhënë Universitetit Bujqësor, pasi 15 programe kanë lidhje me sektorin e bujqësisë, veterinarisë dhe peshkimit. Edhe fushat e shërbimit që kanë të bgëjnë me turizmin, agroturizmin dhe agrobiznesin janë shpallur prioritare.
Qeveria ka miratuar se studentët që përfitojnë përjashtim tarifash dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, pra 32 mijë Lekë në muaj, janë ata studentë me notë mesatare minimumi 8.5, që zgjedhin një nga programet prioritare; studentët që kanë mbaruar me mesatare 10 tre vitet e gjimnazit dhe mesatare mbi 9.5 në provimet e maturës pavarësisht se çfarë dege zgjedhin në universitetet publike.
Po ashtu, përfitojnë edhe studentët që kanë fituar 1 nga 3 vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, me mbi 15 vende pjesëmarrëse, nëse zgjedhin programe që lidhen me fushën ku kanë marrë çmimin. Kusht që të përfitojnë financimin në vitet në vijimm për këta studentë është ruajtja e mesatares.
Sipas pikës 4 të këtij vendimi, studenti duhet të ruajë notën mesatare jo më pak se 9.5 gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve të ciklit të parë dhe të dytë dhe notë mesatare jo më pak se 8.5 në programin e studimit që përbën prioritet kombëtar.
Në vendim përcaktohet se ata që nuk i përfundojnë studimet brenda afateve të përcaktuara ose i ndërpresin pa arsye të rënda shëndetësore, duhet të kthejnë pagesat e përfituara.
Për të përfituar financimin, vendimi parashikon që studentët duhet të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila parashikon se pas përfundimit të studimeve ata duhet të punojnë jo më pak se 3 vjet në sektorin shtetëror, përfshirë edhe rastin kur i ndërpritet financimi për shkak të mospërmbushjes së kriterit të notës mesatare gjatë studimeve.