Tradita e dhurimit vullnetar të gjakut, në Kryeministri, vijoi edhe këtë vit si një akt solidariteti njerëzor, duke ju bashkuar sloganit të Ditës Botërore të Dhurimit të gjakut 2022 “Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë”! Kryeministri Rama një dhurues i rregullt i gjakut prej thuajse dy dekadash ishte i pari që dhuroi sot gjak në ndihmë të kategorive që kanë më shumë nevojë për të.
Në mjediset e Bibliotekës në Kryeministri u instalua njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq Shqiptar, ku punonjësit e administratës së këtij Institucioni dhuruan gjak, akt i cili përveçse ndihmon në shpëtimin e jetëve të tjera, është edhe një proces i shëndetshëm për vetë trupin e dhuruesit. “Duhet ta mësojmë që dhurimi i gjakut nuk përbën rrezikshmëri. I bën shumë mirë trupit. Kryqi i kuq ka bërë që çdo ditë të ketë dhurim gjaku dhe e kemi realizuar objektivin tonë.” – u shpreh punonjësja e Kryqit të Kuq, e cila drejtoi një thirrje ndaj punonjësve të institucioneve për t’ju bashkuar nismës si çdo vit.
“Me punonjësit e Kryeministrisë, si çdo vit për nismën e dhurimit të gjakut. Miq, le ta forcojmë zinxhirin e solidaritetit për dhurimin vullnetar të gjakut. Një kontribut jetik për fëmijët talasemikë dhe të gjithë ata pacientë jeta e të cilëve në shumë raste varet nga vullneti ynë, po edhe diçka shumë e shëndetshme për trupin tonë,” shkruajti Rama.
Edhe këtë vit fushata sensibilizuese e dhurimit të gjakut synon të ndërgjegjësojë për rolin e rëndësishëm që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.