Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilluan një mbledhje publike me kryebashkiakët e qyteteve.

Fokus i takimit ishte pasqyrimi i reformës së decentralizimit dhe performancës financiare të Qeverisë vendore.

Rama në fjalën e tij tha se disiplina financiare e bashkive është sot një domosdoshmëri në të gjithë kontekstet.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, dhe kjo është e domosdoshme, sepse nuk mundet që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë edhe në vitet e ardhshme”.

Për Ramën nuk ka rritje të performancës financiare nëse nuk respektohet disiplina financiare.

Ai tha se asnjë bashki nuk ka një aktivitet që prodhon të ardhura, dhe theksoi se ato i kanë të gjitha mundësitë ta bëjnë këtë.

Si shembull solli “ndërtimin në funksion strehimi”, që nuk përdoret si metodë nga asnjë bashki e Shqipërisë.

Gjithashtu ministrja Ibrahimaj në pasqyrimin e financave, njoftoi se tre Bashki kanë përkeqësuar performancën e tyre financiare: Cërrik, Malësi e Madhe dhe Belsh.

Ndërkohë ekselentë në menaxhimin e financave publike janë: Gjirokastra, Shkodra dhe Këlcyra.

Kështu janë 10 bashki me probleme financiare, 45 pa probleme dhe 7 bashki në vështirësi financiare.

“Bashkitë me probleme duhet të hartojnë një plan veprimi brenda 20 korrikut”, tha ministrja.

Ministrja shtoi se t Vora dhe Kavaja janë dy bashkitë e vetme që kanë probleme të theksuara me performancën financiare – në prag falimentimi.

Nga ana tjetër, ministri Çuçi theksoi se reforma territoriale ka ardhur për të sjellë revolucion në decentralizimin e shërbimeve në qeverisjen qendrore.

Në vijim, ky ndryshim do të vijë dhe në qeverisjen vendore.