Pas vendimit të Gjykatës në SHBA për të ndaluar abortin, mijëra protestues janë mbledhur përpara Kapitolit, por edhe në qytete të tjera të Amerikës, për të kundërshtuar vendimin. Autoritetet përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit jashtë Kapitolit, pasi goditën me gurë xhamat e ndërtesës. “Ushtarët përdorën gaz lotsjellës pasi një turmë protestuesish goditën vazhdimisht dyert e xhamit të ndërtesës së Senatit të Shtetit,” tha për CNN zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Publike të Arizonës, Bart Graves.

Më pas turma u zhvendos nëpër rrugë në Wesley Bolin Plaza, ku policia përdori gazin lotsjellës pasi një monument u vandalizua.

Protestat vijnë pasi Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin, një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike Roe kundër Wade.

Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i cili e ka cilësuar vendimin mizor dhe po aq ekstrem sa një grua të mbajë një fëmijë që është pasojë e incestit apo e abuzimeve sekuale. Ndër të tjera, Biden ka kërkuar që Sekretari i Shëndetësisë të sigurojë që gratë të mund të marrin pilula aborti dhe ilaçe të tjera të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Këtë e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një shënimi.

Çështja historike e vitit 1973 Roe kundër Ëade pa që Gjykata e Lartë vendosi me një votim 7 me dy se e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë e saj mbrohej nga kushtetuta e SHBA. Vendimi u jepte grave amerikane të drejtën absolute për një abort në tre muajt e parë (tremujorin) e shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë. Por, në dekadat që nga ajo kohë, vendimet kundër abortit kanë frenuar gradualisht aksesin në më shumë se një duzinë shtetesh.