Policia Rrugore e Durrësit ka ndërmarrë masa të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Policia njoftoi se, gjatë një jave, si rezultat i shtimit të kontrolleve dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Digjital, shkeljet e konstatuara, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, 3 prej tyre për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe 2 për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia informon se, gjithashtu janë pezulluar 24 leje drejtimi, nga të cilat 7 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe 17 për drejtim automjeti me shpejtësi tej normës së lejuar.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur edhe 1326 masa administrative, për shkelje të ndryshme.

“Janë dhënë 325 masa administrative për parakalime të gabuara; 71 masa administrative për përdorim të aparatit celular; 125 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit; 13 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar; 7 masa administrative për përdorim të pijeve alkoolike; 300 masa administrative për pushim mjeti në kundërshtim me sinjalistikën rrugore; 5 masa administrative për mungesë të siguracionit të mjetit; 18 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 462 masa administrative për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor”, theksohet në njoftimin e Policisë.

Policia Rrugore e Durrësit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.