Njerëzit që pinë kafe kanë një rrezik më të ulët të vdekjes së parakohshme, sipas një studimi të ri nga Kina. Ata që konsumojnë 2,5-4,5 filxhanë kafe pa sheqer në ditë kanë përfitimin më të madh, me 29% rrezik më të ulët të vdekjes sesa ata që nuk pinë fare kafe.

 

Kafeja ka preokupuar shkencëtarët në të kaluarën, ku shumica e hulumtimeve tregojnë se mund të jetë e mirë për shëndetin, duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve të ndryshme, si mëlçia, kanceri, çmenduria etj. Hulumtimet e reja e mbështesin këtë pikëpamje. Në fakt lloji i kafesë nuk ka rëndësi dhe nuk ka shumë ndryshim nëse dikush e preferon me sheqer.

 

Studiuesit, të cilët publikuan studimin në Annals of Internal Medicine, analizuan të dhënat e 171,616 njerëzve me një moshë mesatare 56 vjeç pa sëmundje kardiovaskulare ose kancer. Studimi u krye gjatë një periudhe shtatëvjeçare, gjatë së cilës vdiqën 3,177 njerëz. U zbulua se, krahasuar me ata që nuk pinin kurrë kafe, ata që pinin kafe pa sheqer ose ëmbëlsues tjetër kishin rrezikun më të ulët të vdekjes në vitet në vijim. Ata që vendosnin sheqer në kafenë e tyre dhe pinin 1,5-3,5 kafe në ditë kishin një rrezik më të ulët, megjithëse më të vogël.

 

Shumica e pjesëmarrësve në hulumtim, megjithatë, nuk hodhën më shumë se një lugë çaji sheqer , kështu që nuk është e qartë nëse rezultatet vlejnë edhe për ata që pinë kafe shumë të ëmbël. Prandaj, sipas studiuesve, është më e mençur të pini kafe pa shumë sheqer, por patjetër që nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar sasinë ideale.