Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka shprehur qëndrimin e plotë të Shqipërisë në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Spiropali i është përgjigjur zërave se përshpejtimi i anëtarësimit të Ukrainës në union, mund të shkaktojë “xhelozi” në Ballkanin Perëndimor.

Spiropali tregon se gjatë takimeve që delegacionet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, zhvilluan në Kiev gjatë kësaj jave, kryeministrat shprehën mbështetjen e tyre ndaj integrimit europian të Ukrainës.

Sipas ministres, ky hap është i domosdoshëm në një kontekst të tillë, teksa theksoi se nuk është koha që BE të ngrejë çështje burokratike.

*Spiropali:* Kryeministrat e vizituan Ukrainën edhe për këtë arsye. Duke qenë se disa prej vendeve të BE-së kanë filluar të artikulojnë që Ballkani Perëndimor mund të ndihet i tradhtuar ose mund ta perceptojë si padrejtësi marrjen e statusit kandidat, ndërkohë që ata nuk kanë çelur zyrtarisht negociatat. Kryeministrat bënë të qartë aty që jo vetëm ky nuk është rasti, por ne e mbështesim fuqimisht statusin kandidat për Ukrainën. Nuk kemi asnjë çështje për këtë. E kuptojmë se çfarë është lufta. Kemi patur si Shqipëria, si Mali i Zi, Kosova po e po, e dimë çfarë do të thotë të humbësh njerëz. Ndjeshmëria është më e lartë se e vendeve të tjera dhe mbështetja jonë ka qenë e pakushtëzuar. Modestisht mund të them që Europa duhet të kuptojë se kjo nuk është një çështje burokratike, nuk është një çështje e kritereve të një reformimi tani. është një çështje thelbësore e sigurisë së Ukrainës dhe Europës. Putini nuk e ka vetëm me Ukrainën, por me të gjithë Europën. Të gjitha fjalimet e tij, dëshmojnë që ai zotëron një mentalitet sovjetik. Do e lejojmë këtë njeri sado i pushtetshëm që të nënshtrojë të gjithë rendin ndërkombëtar botëror, të poshtërojë të gjitha vlerat në të cilat besojmë? Të shkatërrojë territorin, të shkatërrojë sovranitetin e një vendi? Kush të jep garancinë që kjo nuk do ndodhë me vendet e tjera, Moldavinë, Gjeorgjinë apo vendet e tjera? Ukraina sot është prova për botën perëndimore. Dujhet të qëndrojmë për Ukrainën, siç qëndron Ukraina për vlerat demokratike.

*Pyetje:* Ju përmendët Kosovën dhe Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e saj që Ukraina ta njohë Kosovën? Si e patë situatën?

*Spiropali:* Kryeministri e ngriti këtë çështje në të dyja takimet, si në takimin me Zelensky-n dhe kryeministrin ukrainas. E bëri të qartë që jo vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi, por edhe Kosova ka mbajtur të njëjtat qëndrime në mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën. Patjetër ne i kuptojmë arsyet e tyre. Në luftëne e Kosovës, konteksti i Ukrainës dhe qeverive pro ruse ka qenë krejt tjetër nga ç’është sot. Duke kuptuar këtë kontekst, ku Ukraina është shkëputur totalisht nga sfera e influencës ruse sa i përket qeverisjes, është koha që sot Kosova të njihet. çështja e Krimesë, sot nuk ka asnjë lidhje me pavarësinë e Kosovës. Në kazusin ndërkombëtar, janë çështje komplet të ndryshme.