Pas Finales së Conference League të pak ditëve më parë, organizimi i Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në trevat shqiptare. Në një intervistë për TCH, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dhënë detaje në lidhje me organizimin e këtij festivali.
“Është një mundësi fantastike për të rinjtë e Tiranës, sidomos këtë vit kur ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë. E pritëm me shume entuziazëm, kur organizatorët na kërkuan nëse mund të ishte Tirana qyteti pritës, për sa kohë që nuk do të ishte Prishtina, prej asaj situate që u krijua. Unë gjithmonë mendoj se është më mirë një tjetër qytet shqiptar, sesa diku tjetër në Europë, për sa kohë që Tirana dhe Prishtina janë vetëm 3 orë larg e për sa kohë që ne, edhe këtej edhe andej brenda kufirit, po mbështesim njëri-tjetrin. Në fakt, Bashkia e Tiranës sapo ka akorduar një fond edhe për të mbështetur “Doku Fest’’ në Prizren. Unë besoj se duhet të gëzohemi që brenda trevave shqiptare ndodhin kaq shumë aktivitete. Kemi provuar që dimë të menaxhojmë aktivitete të mëdha me minimumin e incidenteve dhe sigurisht, me një reputacion gjithnjë e më të lartë për Tiranën e për gjithë Shqipërinë”, tha ai.
Veliaj bën të ditur se “Sunny Hill” do të organizohet tek fushat përreth Liqenit të Tiranës, ku do të ngrihen tre skena të ndryshme për të mikpritur aktivitete gjatë gjithë ditës.
“E kemi përcaktuar vendin dhe sot le të themi morëm vendimin final. Do të jenë fushat përreth Liqenit të Tiranës me 3 skena të ndryshme. Një skenë qendrore, ndërkohë që do të ketë edhe skena paradite dhe skena vonë në mëngjes. Do të duhet që të gjithë të bashkëpunojmë, që Liqeni i Tiranës të jetë një hapësirë që menaxhohet me hyrje-daljet, kështu që na duhet pak punë logjistike”, shtoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë thekson se Tirana do të vizitohet nga 120-150 mijë vizitorë ato ditë, duke i dhënë një impuls të rëndësishëm edhe ekonomisë së qytetit.
“Gjykoj se do të kemi një prurje, duke krahasuar edhe me UEFA Conference League, tek diku 30-40 mijë persona në ditë. Kështu që, 4-5 ditë flasim për 120 deri 150 mijë persona. Do të thotë 10-15% shtesë në popullsinë e Tiranës. Pothuajse të gjitha institucionet tona e kanë kaluar këtë test. A ka interes ekonomik për Tiranën? Do të ishte naivitet të thoshim që jo. Patjetër që ka! Tirana sot zyrtarisht prodhon 20mln euro ekonomi në ditë. Kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet. Do të thotë që ne presim që ato 20mln euro që ekonomia e Tiranës i gjeneron në një ditë normale t’i dyfishojë në ato ditë. Unë parashikoj që ne do të kemi një injeksion në ekonomi – kur mendoj vaktet, hotelet, taksitë, sigurimin, higjienën, kateringun, një zinxhir ekonomik që punon – rreth 40-50mln euro shtesë në Tiranë”, nënvizoi Veliaj.