Nga Mero Baze/
Zgjedhja e Presidentit të ri të Shqipërisë, ka destabilizuar piskologjikisht Sali Berishën qysh ditën e parë, duke lënë në hije, njeriun që po i lëshon zyrën presidentit të ri, dhe që e ka të shkuarën të pasur me episode të tilla.
Së pari e destabilizoi politikisht, duke ja shtuar izolimin brenda PD. Në fillim vendosi të rrinte në sallë dhe akuzoi Partinë Demokratike drejtuar nga Alibej se po bojkotonte, ngaqë nuk mori pazar nga Edi Rama. Pastaj befas ndryshoi qëndrim dhe vendosi të bojkotoj. Para se të merrte këtë vendim vet Sali Berisha u bojkotua nga 36 deputetë të PD në mbledhjen që organizoi, që duket se i dha dorën e fundit lëshimit të nervave duke e nxjerrë në origjinë.
Së dyti pati një destabilizim të partneritetit të tij me Ilir Metën. Sali Berisha shpresonte se do ta përdorte Ilir Metën siç e ka përdorur shpeshherë këto pes vite, për bllokime të institucioneve bllokim të zgjedhjeve dhe deri dekretime ministrash. Shpiku se Ilir Meta nuk duhet të dekretoj dorëheqjen e Presidentit të ri nga detyra si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Por me sa duket Ilir Meta u bë “besëpreri” i radhës i tij, duke nënshkruar nga Stambolli dorëheqjen, dhe madje duke shënuar një rekord të ri presidencial përveç atij të ç’dekretimit të zgjedhjeve , që tani mund ta quamë “teledekret”.
Kjo me sa duket ishte një arsye më shumë që Berisha të bojkotonte dhe LSI të qëndronte në sallë, duke ndarë jo vetëm qëndrime por ndoshta dhe ndonjë votë me shumicën në pushtet.
Së fundmi pati dhe një destabilzim psikik duke folur për “ditët e zeza” që e presin Shqipërinë tani që në krye të saj u vendos një ushtarak, që Berisha thotë se është fillimi i juntës ushtarake.
Presidenti i ri në fakt nuk është ushtarak, pavarësisht karrierës në ushtri si mjek. Ai është një mjek si Sali Berisha dhe një ushtarak që ka arritur kulmin e karrierës për shkak të angazhimit të tij në ushtri si mjek dhe drejtues shëndetësie në fushën e mbrojtjes.
Sali Berisha i ka ofruar Shqipërisë si President, dikë që kulmin e karrierës në ushtri e ka pas gradën kapter ndërsa Edi Rama i ka ofruar dikë, që si ushtarak e ka gradën “Gjeneral” dhe ka prekur kulmin e karrierës në ushtri, ndërsa si profesion dhe formim është mjek si Sali Berisha, dhe aty me më shumë përvojë si mjek si Sali Berisha. E thënë ndryshe Presidenti i ri, është sa Berisha e Nishani bashkë për nga formimi. Të shpresojmë që të mos mbledh veset e tyre së bashku.
Dhe boll u ankuat ndaj dikujt që është dhe mjek dhe gjeneral, disa ditë pas, kur ende nuk u janë tharë lotët duke qarë për dikë që kur u bë president kishte qenë vetëm kapter. Mos na bëni të na duket yll që ditën e parë Bajram Bega. Na lini të na zhgënjej me atë që do bëj.