Televizioni i njohur gjermano-francez ARTE tv, do të publikojë sot në mbrëmje dokumentarin e realizuar vitin e kaluar në Curraj të Epërm, në Tropojë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se nëpërmjet këtij dokumentari do të shohim pamje nga jeta reale në zemër të Alpeve shqiptare, traditat e zonës, gatimet, mikpritja etj.
Sipas AKZM, shumëkush e njeh këtë zonë nga libri “Shqipëria e Epërme” i antropologes, Edith Durham shkruar më 1908.
Gjithashtu, dokumentari fokusohet tek një pasuri e rrallë natyrore dhe me vlera unike për Shqipërinë dhe Evropën, që gjendet në Curraj të Epërm – pyjet e vjetër të Ahut.
Një masiv me pyje të vjetër ahu, ujëvarat e shumta të lumit të Plasë (rreth 3 orë larg mbi fshatin Curraj i Epërm), burime ujore dhe pyje mistike, malet e larta, trofta me pika të kuqe, uji i pastër kristal i lumit, fshati Curraj i epërm dhe jeta atje, janë subjekt dokumentarit.
I ndodhur në një luginë magjepse, që ndan Nikajn dhe Mërturin në rrethin e Tropojës, në veri të Shqipërisë, fshati Curraj i Epërm, apo Curraj i Epërm siç e quajnë vendasit, llogaritet si njëri ndër fshatrat më të izoluar të rajonit, por që shfaq një nga pamjet madhështore të peizazhit të Alpeve, një destinacion turistik i pashkelur, perlë e turizmit malor.