Edhe Tirana bëhet pjesë e festimeve në nder të Jubileut të Platintë të Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II. Përmes një ceremonie të veçantë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith, ndezën dje në mbrëmje “Fenerin Jubilar” në Varrezat e Dëshmorëve.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi raportin e veçantë që ekziston mes Tiranës dhe Londrës, çka pasqyrohet edhe në historitë e shumta të suksesit që shqiptarët kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar. “Një numër i madh shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, e kanë krijuar aty historinë e tyre të suksesit. Një pjesë e madhe e vëllezërve e motrave tona nga Kosova gjetën një strehë aty. Edhe unë vetë kam qenë përfitues i bursës Chevening dhe kur mendoj se çdo vit, dhjetëra të rinj kanë shansin jo vetëm të marrin një diplomë në Mbretërinë e Bashkuar, por të bëhen pjesë e një eksperience, e një bote të hapur dhe të lire, kur mendoj se sa prej nesh janë sot drejtues në institucione dhe eksperiencën britanike e injektojnë në Shqipëri, është një kënaqësi shumë e madhe. Raportet mes shteteve, patjetër mund të maten me shkëmbime tregtare, me shkëmbime të mallrave dhe të ekonomisë, por besoj se ka edhe një raport tjetër, që është shkëmbimi shpirtëror që kanë njerëzit dhe popujt”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se pavarësisht sfidave të shekullit që lamë pas, Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II, ka dëshmuar se është edhe një busull morale e autoriteteve botërore dhe dëshmi se e mira dhe e drejta triumfojnë gjithmonë. “Në kohët ku jetojmë, pika e gravitetit moral ka shumë rëndësi. Në 70 vitet e Mbretëreshës në fron, ajo që ka bërë diferencën. Sot, kemi një kompas, një busull morale të autoriteteve botërore që kanë parë gjithë këto ndryshime, e megjithatë dëshmojnë, janë një testament i faktit se e mira triumfon, e drejta triumfon, dashuria triumfon, një botë e hapur dhe progresiste triumfon. Ky mesazh është ende më i fortë sot, sidomos kur në Europë po bëhet luftë në Ukrainë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

I dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, u shpreh se ndezja e këtij feneri është mënyra e duhur për të shenjuar 100 vite miqësi mes dy vendeve. “Kjo traditë, që është e njohur edhe në rajonin tuaj, e ndezjes së një feneri shprese, gjithashtu fener miqësie, është mënyra e duhur për të shenjuar 100 vite miqësie anglo-britano-shqiptare. Ndaj, ju falenderoj që po e mundësoni këtë”, tha Sir Stuart Peach.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith shprehu mirënjohjen për popullin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme dhe marrëdhëniet shumë të mira shqiptaro-britanike. “Ne jemi këtu në një moment të veçantë, për të ndezur fenerët e Jubileut, si një simbol i angazhimit dhe i kohëzgjatjes së shërbimit të Madhërisë së Saj, si edhe një shenjë respekti nga shqiptarët për Madhërinë e Saj. Ndaj, ju jemi shumë mirënjohës juve dhe popullit shqiptar, që po na jepni këtë mbështetje speciale”, deklaroi ai.

Këtë vit, Mbretëresha Elizabeta II u bë Monarkja e parë britanike që feston një Jubile të Platintë, duke shënuar 70 vjet në shërbim të popullit të Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëreshën e kanë shërbyer 14 kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa Kryeministri i parë ka qenë Uinston Çërçill.