Java e Kulturës Italiane ka sjellë në Tiranë ministrin italian të Kulturës, Dario Franceschini. Ai u prit në një takim nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në shenjë mirënjohje i dorëzoi dhe “Çelësin e qytetit”. “Dua, në emër të gjithë kolegëve dhe të Këshillit Bashkiak të Tiranës, por edhe qytetarëve të Tiranës, t’ju dhuroj “Çelësin e qytetit”, si një shenjë e një dere të hapur dhe e një mikpritje pa kufi për miqtë nga Italia”, tha Veliaj.

Duke falenderuar kryebashkiakun Veliaj, ministri italian vlerësoi ndryshimet në kryeqytetin shqiptar. Ai theksoi se Tirana është model i zhvillimit dinamik e të hapur, ku mund të marrësh frymë në ajër të pastër. “Përgëzime për gjithçka që keni bërë. Në fakt, Tirana është model i zhvillimit, i një zhvillimi dinamik, të hapur, ku mund të marrësh frymë në ajër të pastër. Unë pata vetëm disa orë në dispozicion, por ky është një qytet që ka dëshirë për t’u rritur, dinamik, i hapur dhe në fakt unë do të doja të investonim pikërisht në këtë gjë. “Çelësi i qytetit” është një simbol jo vetëm për mua, por për të gjithë italianët të cilët duan të vijnë këtu”, tha Franceschini.

Ministri Italian shtoi se Tirana është një qytet evropian dhe duhet të shihet gjithnjë e më shumë si një vend mikpritës për të rinjtë italianë. “Tirana është një qytet i ri, dinamik, shumë i ri, një qytet evropian, ndërkombëtar dhe mendoj se duhet të shihet gjithnjë e më shumë si një vend mikpritës për të rinjtë italianë, të cilët duan të vijnë këtu, ta njohin, të studiojnë këtu, t’i përkushtohen kulturës, teatrit, poezisë, muzikës, letërsisë. Duhet të punojmë me shumë vendosmëri për t’ia arritur kësaj. Pra, jo vetëm t’i përkushtohemi ruajtjes së traditave e miqësisë sonë, por duhet të investojmë tek brezi i ri”, deklaroi ai. Ministri nënvizoi se mes dy vendeve ka shumë hapësira në të cilat duhet investuar sikurse është dhe njohja e kulturës shqiptare në Itali.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e Italisë për shqiptarët dhe për vendin tonë. “Ne jemi me fat që jemi fqinjët e Italisë dhe e konsiderojmë veten vërtet fatlumë sepse ka shumë rëndësi kush janë fqinjët e tu. Duke parë çfarë ndodh në Rusi, çfarë ndodh në Ukrainë, fqinjët kanë rëndësi dhe nuk mund t’i marrim për të mirëqenë. Ne jo vetëm që nuk i marrim fqinjët për të mirëqenë, por e vlerësojmë jashtë mase fqinjësinë e madhe dhe të bukur që kemi me Italinë. I marrim fqinjët aq seriozisht dhe i duam aq shumë saqë duam t’ju japim dhe çelësin e shtëpisë tonë si një shenjë e miqësisë së mirë, si një shenjë e vëllazërisë, edhe si një falenderim dhe mirënjohje për gjithë kontributin fantastik që Italia jep për Shqipërinë”, deklaroi Veliaj.

Ministri Dario Franceschini dhe kryebashkiaku Veliaj diskutuan mbi bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe mbi shkëmbimin kulturor mes dy vendeve.