Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ishte edhe në Njësinë 8, si pjësë e turit informues për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste. Ai tha se PS ka nevojë për njerëz korrektë, që bëjnë punën, jo për njerëz që zihen për karrigen, siç ndodh në kampin kundërshtar.
Veliaj solli në vëmendje rezultatin e PS në Vorë dhe Rrogozhinë, për të ilustruar faktin se njerëzit duan dikë që punon për ta dhe nuk lodhen kur gjërat ndryshojnë për mirë. Ai theksoi se kur në PD diskutohet “a do mbajë blinda”, në PS kryefjalë është tema e menaxhimit të tërmetit dhe pandemisë, apo si duhet të transformojmë njësitë, ku do ndërtojmë shkollën e radhës, si të përmirësojmë furnizimin me ujë etj.
“Ne nuk na duhen ata që zihen me këndet e lojërave, që djegin gomat tek “Astiri”, apo që bllokojnë projektin për zgjatimin e Lanës, për një kredi që nuk na u dha kurrë autorizimi. Na duhen njerëz normalë. Një njeri, i cili është në fund të karrierës së tij, s’ka ndërmend të krijojë parti nga Presidenca, as të thotë populli i Marsit dhe i Qershorit. Na duhet një njeri normal, që e ka bërë punën e shtetit me korrektesë, që të vazhdojë të bëjë edhe këtë detyrë të shtetit”, nënvizoi Veliaj.
Më tej, ai tha se puna e Partisë Socialiste do të vijojë më fort, ndërkohë që kundërshtarët s’bëjnë gjë tjetër veçse vonojnë zhvillimin e vendit.
“Këtu bëhet debat për dhëmbët e tigrit. Kur kundërshtari merret me këto, do të thotë se nuk ka alternativë. Por, siç nuk u tërhoqëm tek “Astiri”, siç nuk u tërhoqëm tek “5 Maji”, puna do të bëhet se është për zhvillimin e vendit. Shikoni sa kanë vajtur çmimet e pronës tek “Astiri”. Kur rritet vlera e pronës, nuk rritet vetëm për socialistët, rritet për të gjithë, por ama ne nuk mashtrojmë njeri. Ne themi: Unaza do të bëhet! Ngriji gishtat përpjetë, bëj çfarë të duash, dil me ata të OFL-së, por puna do të bëhet”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se PS po tregon se kjo është një fushatë komunikimi dhe jo fushatë si ajo e kundërshtarëve, duke hipur mbi makina.