Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 107- të. Ndërsa vijojnë sulmet në Donbass, Kievi thotë se i kanë mbaruar municionet dhe po luftojnë vetëm me armët që i ka dërguar perëndimi. Këtë e konfirmoi zëvendësi i Kreut të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës.
“Kjo është një luftë artilerie tani. Vijat e frontit ishin ku do të vendosej e ardhmja, dhe ne po humbasim në aspektin e artilerisë”, tha Vadym Skibitsky, Nënkryetari i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës.
3 civilë vdiqën dje në rajonin e Donjeckut dhe 800 të tjerë janë refugjatë në fabrikën kimike Azot në Severodonetsk, i cili gjithashtu ishte nën sulmet ruse. Në mesazhin e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëron se do të vendoset fati i Donbasit. Ndërkohë, Zelensky foli me telefon me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të koordinuar qasjen e Kievit ndaj BE-së.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Evropian Von der Leyen premton: “Ne do të rindërtojmë Ukrainën, është një detyrim moral”, raporton “La Stampa”.
Gjatë njoftimit të saj të përditshëm, Inteligjenca Britanike ka ngritur alarmin lidhur me situatën shëndetësore në dy qytete të shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Mariupol.
Inteligjenca britanike thotë se në Kherson ka mungesë të ilaçeve, ndërsa në Mariupol rreziku i një epidemie kolere afrohet.
Ministri i Jashtëm rus, Sergeji Lavrov pati një deklaratë lidhur me vendimin e marrë nga Qeveria e Vetëshpallur Popullore të Donteskut për dënimin me vdekje për dy britanikët dhe një marokeni që luftuan me ushtrinë ukrainase.
Lavrov tha se ai është marrë në bazë të ligjeve të një vendi të pavarur.
“Nuk duhet ndërhyrë në sistemin e drejtësisë të Republikës Popullore të Donetsku-t”, tha Lavrov duke shtuar se nuk do të bëjë asnjë koment tjetër lidhur me këtë zhvillim, pasi siç tha ai, nuk dëshiron që të bëjë spekulime.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyn gjatë vizitës së saj në Ukrainë tha se ekzekutivi i saj do të finalizojë opinionin nëse Ukrainës duhet t’i jepet statusi i kandidatit për t’u bashkuar me BE-në deri në fund të javës së ardhshme.
“Diskutimet e sotme do të na mundësojnë të finalizojmë vlerësimin tonë deri në fund të javës së ardhshme”, i tha ajo presidentit ukrainas Volodymy Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
Von der Leyen, në udhëtimin e saj të dytë në Kiev që nga fillimi i luftës, i kujtoi Zelenskyt se me gjithë përparimin në reformat administrativ duhet ende shumë për të bërë.
“Ju keni bërë shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por ka ende nevojë që të zbatohen reforma, për shembull për të luftuar korrupsionin”, tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ukraina filloi procesin e aplikimit për anëtarësim në BE në shkurt të këtij viti, katër ditë pas pushtimit të Rusisë.
Gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lyen, Presidenti i Ukrainës , Volodymyr Zelensky diskutoi për nevojën e një pakete të shtatë sanksionesh kundër Rusisë.
“I jam mirënjohës Bashkimit Evropian për politikën e sanksioneve kundër Federatës Ruse, kjo na ndihmon shumë në luftën tonë. Gjashtë paketa sanksionesh janë bërë një instrument i rëndësishëm presioni ndaj Rusisë, por lufta, për fat të keq, vazhdon dhe për këtë ne kemi nevojë për paketën e shtatë të sanksioneve”, tha Presidenti ukrainas Zelensky në margjinat e takimit me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen .