Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka dhënë detaje në lidhje me situatën e vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit. Çako është shprehur se vatrat e zjarreve janë totalisht në kontroll të plotë dhe zjarri pothuajse është izoluar. Kreu i Emergjencave Civile ka shtuar se avioni grek që i ka ardhur në ndihmë palës shqiptare ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në ishullin e Sazanit dhe se po punohet për eliminimin e të gjitha vatrave të zjarrit.
Çako: Vatrat e zjarreve janë totalisht nën kontroll të plotë, pothuajse është izoluar, është bërë perimetri, është ndërhyrë dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm edhe ndërhyrja nga ajri me avionin Canadair, i mundësuar nga autoritetet greke në bashkëpunim me Brukselin. Ishte bërë një punë shumë intensive gjatë 2 ditëve nga të gjitha strukturat dhe forcat operacionale. Vazhdojmë për eliminimin e të gjitha vatrave. Ka patur gatishmëri të menjëhershme nga partnerët tanë.
Gjatë një interviste për Klan News, Çako ka thënë se sipas informacioneve paraprake, zjarri në ishullin e Sazanit është i qëllimshëm nga një grup njerëzish që e kanë viztuar këtë ishull.
Çako: Zjarri është shfaqur para 4 ditësh, marrë në kontroll prej 2 ditësh, por është rishfaqur sërish. Tendencë për ndezjen e zjarrit që është faktori njeri. Policia e Shtetit ka vazhduar hetimet. Nga informacionet paraprake, ky zjarr është i qëllimshëm në dashje apo nga pakujdesia e një grup njerëzish të cilët kanë vizituar ishullin e Sazanit.
Në fund të fjalës së tij Çako i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë të kujdesshëm në periudhën e verës, pasi një pakujdesi mund të kushtojë shumë për të gjithë vendin.