Sali Berisha nuk ishte sot i ftuar në ceremoninë e kremtimit të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Sigurisht fakti që është i shpallur ‘non grata’ e bën zero shansin që ai të jetë i pranishëm në një aktivitet të tillë.

Por siç ka bërë rëndom në të gjithë këto muaj, që pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe tashmë nga Mbretëria e Bashkuar, Berisha ‘gjen strehim’ për t’iu justifikuar mbështetësve të vete, tek George Bush.

Siç ka bërë shpesh me postimet e takimeve që ka pasur me presidentët Bush, Berisha këtë herë ka zgjedhur të shpërndajë në rrjetet sociale mesazhin e urimit të ish-Presidentit amerikan për shqiptarët dhe jo atë të Presidentit aktual Joe Biden!

Sigurisht që Presidenti aktual, administrata e të cilit e shpalli Berishën ‘non grata’, foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e demokracisë, që ishin ndër akuzat më të forta ndaj ish-Kryeministrit shqiptar.

Ndërkohë që pak minuta më vonë Berisha ripostoi për të disatën herë pas 19 majit 2021, kur mori mesazhin ‘i padëshiruar’ nga SHBA, pamje nga takimi që ai ka pasuri me ish-Presidentin amerikan George H. Bush në vitin 1992.