Kryeministri Edi Rama mikpriti këtë pasdite përfaqësuesit e sipërmarrjes së Kosovës, në shenjë falenderimi për pritjen e rezervuar nga ana e tyre gjatë vizitës së kryeministrit Rama dhe të disa ministrave të kabinetit qeveritar, para pak javësh në Kosovë. Pritja e sotme i parapriu një takimi të përbashkët frytdhënës, dëgjesë dhe diskutim për thellimin e dialogut mbi potencialin e përbashkët ekonomik dhe hapësirat e investimit në Shqipëri.
“Unë dua megjithë zemër që ju sipërmarrësit e Kosovës dhe jo vetëm ju që jeni këtu, por edhe ata që s’janë këtu sot, që Shqipërinë ta konsiderojnë shtëpinë e tyre, jo thjeshtë për arsye atdhetarie apo për arsye historie apo për arsye lidhjesh shpirtërore të pandashme, por edhe për arsye pune, për arsye të zgjerimit të aktivitetit të tyre sepse Shqipërisë i duhen kampione në sipërmarrje.” – tha mes të tjerash Kryeministri Rama teksa mirëpriti sipërmarrësit nga Kosova në Pallatin e Brigadave.

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve!
Shumë faleminderit për mundimin, për të na kthyer vizitën që ne patëm nderin dhe kënaqësinë të bëjmë përpara pak javësh në Kosovë, ku sëbashku me disa nga anëtarët e kabinetit qeveritar unë ndjeva mbase si asnjëherë tjetër falë jush, mikpritjes, respektit dhe begenisjes tuaj në takimin dhe bashkëbisedimin që zhvilluam në një nga strukturat fantastike të sipërmarrjes të Shkëlqim Devollit.

Ju dhashë fjalën që do të rishihemi përsëri këtu në Shqipëri dhe ja ku jemi sot, për të bërë një takim të gjatë më pas, aq të gjatë sa do ta dëshironi ju. Unë jam i gjithi në dispozicion për t’ju dëgjuar dhe për të diskutuar sëbashku lidhur me hapësirat e investimeve në Shqipëri, por patjetër edhe lidhur me potencialin e zhvillimit të mëtejshëm të të dyjave shteteve tona ku ju jeni protagonistët kryesorë.

Besoj që këtu ju jeni pak a shumë 60 veta, por përmes jush këtu janë dhjetëra e mijëra njerëz dhe familje që falë jush, falë sipërmarrjes suaj, falë punës tuaj të përditshme në ngritjen e këtyre sipërmarrjeve që ushqejnë familjet e tyre, çojnë fëmijët e tyre në shkollë, kujdesen për më të moshuarit e tyre dhe natyrisht ushqejnë ambicien e tyre për tu paguar më shumë, duke rritur specializimin e tyre në sipërmarrjet tuaja.
E them këtë për të dëshmuar një të vërtetë shumë të thjeshtë që shpeshherë njerëzit e harrojnë dhe që përgjithësisht ata të cilët kanë një mikrofon apo kanë një firmë për të vënë në media vizive apo të shkruara edhe pse mbase nuk e harrojnë, bëjnë shpesh çmos që ta rrënojnë, duke i përshkruar sipërmarrësit si kulakët e dikurshëm të propagandës së regjimit anti pronë private, anti ekonomi tregu dhe anti sipërmarrje individuale.

Ne nuk kemi ku shkojmë pa sipërmarrësit dhe pa sipërmarrjen përveçse në greminë, por në atë greminë ka qenë më parë Shqipëria dhe askush realisht nuk ka nostalgji për atë greminë kështu që siç thonë fjalët e urta të popullit, një ndër të cilat është: “qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, ne do të bëjmë çmos që të vazhdojmë të shkojmë përpara. Unë dua me gjithë zemër që ju sipërmarrësit e Kosovës dhe jo vetëm ju që jeni këtu, por edhe ata që s’janë këtu sot, Shqipërinë ta konsiderojnë shtëpinë e tyre jo thjeshtë për arsye atdhetarie apo për arsye historie, apo për arsye lidhjesh shpirtërore të pandashme, por edhe për arsye pune, për arsye të zgjerimit të aktivitetit të tyre sepse Shqipërisë i duhen kampionë në sipërmarrje, të cilët me dijet e fituara në gjithë këto vite, me eksperiencën e fituar në gjithë këto vite, me aftësinë e tyre konkurruese jo thjeshte brenda tregut vendas por edhe në tregjet ndërkombëtare, i kanë sot mundësitë që të marrin përsipër gjëra shumë të mëdha.

Natyrisht që ne jemi të lumtur për çdo investim të huaj, natyrisht që ne bëjmë përpjekje dhe do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të patur sa më shumë investitorë të huaj, natyrisht që në ekonominë tonë nuk ka absolutisht asnjë kufizim, përkundrazi ka vetëm incentiva për investitorët e huaj, por ne kemi kaq shumë mundësi me të ardhurat e krijuara nga biznesi dhe nga puna e investitorëve shqiptarë dhe unë kur them shqiptarë kam parasysh shqiptarë të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës, unë nuk e përdor termin kosovar, se më duket sikur po përmendem kosovarët, do përmendim pastaj edhe gjirokastritët, ndërkohë që ne jemi të gjithë shqiptarë nga një rrënjë, nga një trung, pastaj në degë të ndryshme dhe shqiptarët dhe përtej Shqipërisë dhe Kosovës që janë vende të tjera, qoftë në rajon qoftë nëpër botë, kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe kanë mundësi realisht t’ia kryejnë Shqipërisë dhe Kosovës pa diskutim të gjitha shërbimet për të cilat kanë nevojë. Të jenë të përfshirë në të gjitha investimet e mundshme, sado të sofistikuara që ato të jenë.

Në fabrikën ku ne ishim të gjithë bashkë te Shkëlqimi dhe Shkëlqimi fatmirësisht nuk është i vetëm në tregun e Kosovës, jeni dhe ju të tjerët, pavarësisht niveleve të madhësisë aty është një fabrikë e cila mund të ndodhet në çdo vend të botës, që nga Amerika deri në Angli, Gjermani, në Australi dhe faktikisht aty nuk prodhohet thjeshtë për aq sa zë një treg tanimë shumë i vogël për Shkëlqimin, prodhohet për tregun amerikan, prodhohet për tregun gjerman, prodhohet për tregje evropiane dhe në një territor konkurrencë të jashtëzakonshme se nuk kanë prit Shkëlqim Devollin, as Amerika as Gjermania, as në Francë, që të mendojnë që të flenë rehat. Janë marrë me dyshekët kur të parët e Shkëlqim Devollit rriteshin në djep druri. Mirëpo ja që vjen Shkëlqim Devolli nga Kosova edhe bëhet personazh në tregun ndërkombëtar dhe krijon një vlerë të shtuar që është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, se çfarë mund të bëjnë shqiptarët kur i krijohen mundësitë dhe këto mundësi që janë nuk mjaftojnë, duhet të krijojmë mundësi të reja dhe për këtë jemi këtu.

Unë e përsëris, jam shumë mirënjohës njëherë që erdhët. Ne kemi organizuar hakmarrjen e asaj mikpritjeje besoj mirë. Dua që të largoheni po aq të kënaqur të paktën sa u larguam ne kur u takuam me ju, po u larguat më të kënaqur aq më mirë se pastaj do t’ju lindi juve ajo dëshira që të hakmerreni dhe të na ftoni prapë. Kështu që mirë se erdhët dhe pas këtij fjalimi për të cilin nuk besoj se ju kishte marrë malli se kushedi sa herë në ditë më shikoni dhe mua përveç atyre në Kosovë që i shihni dhe natën, ju ftoj që të vazhdojmë me takimin, me bashkëbisedimin, kuptohet pa ju lënë që të ktheheni me barkun bosh, se keni pasur dhe probleme këto kohë, ekonomike dhe nuk e di si jeni me situatën e urisë.
Shumë faleminderit!