Një nënvariant i ri i Omicron po bëhet kryefjalë në mbarë botën. Agjencitë shëndetësore dhe virologët besojnë se mund të bëhet varianti më mbizotërues në vijim të pandemisë.

BA.2.75 tashmë po bëhet varianti mbizotërues në Indi, pasi u zbulua për herë të parë atje në maj. Nënvarianti është raportuar në dhjetëra vende duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe Holandën. Për shkak se po kalon llojin e mëparshëm mbizotërues në Indi – BA.5 – virologët mendojnë se ka të ngjarë të jetë më i transmetueshëm.

BA.2.75 ka marrë emrin “Centaurus”, megjithëse nuk ka marrë ende një shkronjë zyrtare greke nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH këmbëngul se është një nënvariant i Omicron.

Emri Centaurus duket se ka ardhur nga një postim në Twitter nga përdoruesi @xabitron1, i cili shkroi më 1 korrik: “Sapo e emërova variantin BA.2.75 sipas një galaktike. Emri i tij i ri është Centaurus. Mësohu me të. Sot, unë komandoj çdo gjë pandemie.”

BA.2.75, si BA.5, është një nënvariant i Omicron, forma e transmetueshme e koronavirusit që shpejt u bë dominuese në mbarë botën këtë vit. Megjithatë, ndonëse është e mundur që BA.2.75 të bëhet varianti dominues në mbarë botën, nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar shumë. Sipas raporteve, ashpërsia e simptomave të njerëzve të shtruar në spitale po zvogëlohet.

“Shanset e përhapjes së virusit janë më të mundshme sesa ishin, të themi, një vit më parë ose dy vjet më parë”, tha për Euronews Next Dr. Eleanor Gaunt, një virologe në Universitetin e Edinburgut. “Më parë, për shembull ishte e detyrueshme mbajtja e maskës dhe kishte më shumë kufizime në shumë vende […] Përsëri nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u alarmuar. Nëse ka ri-infektime, gjasat janë që të jenë klinikisht më pak të rënda.”

A do të përfundojë zhduket ndonjëherë Covid?

Gaunt thotë se duket se ka të ngjarë që Covid të arrijë në një model të ngjashëm me atë të ftohjes së zakonshme, ku arrin “një lloj ekuilibri me njerëzit”. “Pra, ne infektohemi, marrim një infeksion të lehtë dhe marrim infeksione të përsëritura gjatë gjithë jetës. Ky është parashikimi afatgjatë për SARS-CoV-2”.

Ekspertë të tjerë pajtohen se vaksinat dhe dozat përforcuese janë ende mbrojtja më e mirë kundër simptomave të rënda, edhe nëse nuk mund të garantojnë se nuk do të ndodhin riinfeksione.

Dr. Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19, shtoi se BA.5 është “varianti më i transmetueshëm që kemi parë” dhe paralajmëroi se varianti tjetër do të jetë “edhe më i transmetueshëm se i fundit”.

Burimi: Euronews, Financial Times