Disa historianë i kanë cilësuar dy luftërat botërore si një konflikt të vetëm ushtarak me një armëpushim prej 20 vitesh në mes. Me pak fjalë, ishte një luftë e gjatë europiane për të ndalur Gjermaninë. Dhe ndërsa perandoria gjermane ishte krejt ndryshe nga Rajhu i Hiterit, ekziston mundësia që të gjurmohen rrënjët e brutalitetit nazist që në fillimet e historisë.
Por kishte një tjetër konflikt të gjatë në shekullin e 20-të, lufta midis Perëndimit demokratik dhe Rusisë antidemokratike. Mirëpo, vetëm tani, që kjo luftë po hyn në fazën e dytë, “të nxehtë”, po ndërgjegjësohemi se lufta në fakt ka vazhduar gjatë gjithë kohës, por me armëpushime të zgjatura por ndërmjet angazhimeve aktive të ndyshme.
Në fakt, filloi si një luftë që nuk ndodhi.
Në shtator 1939, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë, për të mbrojtur Poloninë nga një sulm i huaj. Por tanket e Hitlerit nuk ishin të vetmet që shkelën kufirin polak. Më pak se tre javë më vonë Ushtria e Kuqe e Stalinit marshoi nga lindja. Veprimet e tyre u koordinuan nga protokolli sekret i paktit të Molotov-Ribbentrop, i cili përcaktonte saktësisht se sa nga territori polak kishte të drejtë të merrte në kontroll çdo diktator.
Madje mund të themi se marrëveshja inkurajoi Hitlerin të sulmonte Poloninë. Sikur Stalini të bëhej bashkë me dy demokracitë perëndimore duke kundërshtuar sulmin gjerman, apo të kishte qëndruar neutral në vend që të gjente mundësi për të përçarë Europën në aleancë me nazistët, historia e Luftës së Dytë Botërore mund të kishte qenë krejt ndryshe.
Pas shtypjes së rezistencës polake, të dy ushtritë mbajtën një paradë të përbashkët ushtarake në qytetin e Brest-Litovsk. Stalini më pas ekzekutoi rreth 22,000 oficerë ushtarakë polakë dhe të tjerë, raporton abcnews.al.
Ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk i shënjestroi në mënyrë specifike hebrenjtë, hebrejtë polakë ishin pronarë biznesesh, mjekë, avokatë dhe kishin profesione të tjera. Ata hebrenj nga Polonia e pushtuar nga nazistët, të cilët ishin në gjendje të arratiseshin në territorin e kontrolluar nga sovjetikët, shpesh dërgoheshin në pjesë të ndryshme të Azisë Qendrore ose në kampe pune.
Loja e dyfishtë e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore
Për gati dy vite më pas, Bashkimi Sovjetik ofroi mbështetje ushtarake për Gjermaninë, duke i mundësuar Hitlerit të shtypte Francën dhe të bombardonte Ishujt Britanikë.
Megjithatë, edhe pse BRSS kishte qenë, së bashku me Gjermaninë, në luftën kundër Polonisë, dhe për të gjitha qëllimet qëndroi aleate e Hitlerit, Britania nuk i shpalli kurrë luftë Moskës.
Me sa duket, Churchill e kuptoi se të dy diktatorët në fund do të konfliktoheshin me njeri-tjetrin.
Në të vërtetë, muaji i tyre i mjaltit përfundoi kur Hitleri tradhtoi Stalinin dhe pushtoi Bashkimin Sovjetik. Sulmi i Hitlerit ndryshoi statusin e tij nga një armik në një aleat, por nuk e ndryshoi në asnjë mënyrë natyrën e regjimit të Stalinit.
Lufta kundër Bashkimit Sovjetik që duhej të ishte shpallur në vitin 1939, thjesht u shty për një dekadë. Në fund të viteve 1940, Bashkimi Sovjetik dhe Perëndimi ishin në një konflikt në atë që u quajt “Lufta e Ftohtë”.
Vendet në Europën Lindore dhe Qendrore, përfshirë Poloninë, kaluan nga pushtimi gjerman në pushtimin sovjetik dhe vuajtën të vazhdueshme spastrimesh brutale.
Madje, Stalini imitoi Hitlerin duke nisur një fushatë brutale kundër hebrenjve në Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore.
Të dy palët në Luftën e Ftohtë, të armatosura me armë bërthamore, nuk u përballën me njëra-tjetrën në fushën e betejës. Megjithatë, luftërat me përfaqësues filluan të përhapeshin në të gjithë globin, nga Indokina (Azia juglindore kontinentale) në Afrikë dhe nga Amerika Latine në Lindjen e Mesme. Miliona njerëz vdiqën në Kore, Vietnam, Kamboxhia, Indonezi, Afganistan dhe gjetkë.
Në fund, Perëndimi fitoi, Europa Lindore u kthye drejt perëndimit dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Fillimisht, Rusia u duk se po largohej nga autoritarizmi dhe ekspansionizmi. Ajo dukej e vendosur për të ndërtuar një shtet demokratik, paqësor dhe për t’u shkëputur nga e kaluara e saj, raporton abcnews.al.
E megjithatë, gjatë viteve 1990, Rusia shpesh është krahasuar me Republikën e Vajmarit. Ishte entuziazmi fillestar për demokracinë, i cili shpejt u mposht nga krizat ekonomike, inflacioni dhe paligjshmëria.
Nostalgjia për Bashkimin Sovjetik u rrit dhe u shfaq një teori, duke pretenduar se Bashkimi Sovjetik u shemb jo për shkak të pakënaqësisë së popullit të tij, problemeve ekonomike dhe tensioneve etnike, por si rezultat veprimeve amerikane.
Në Gjermani, Hitleri mori pushtetin befas. Në Rusi, procesi ishte gradual, duke u zhvilluar gjatë njëzet viteve të fundit.Vladimir Putin dhe propaganda e tij kanë luajtur dhe promovuar me mjeshtëri pakënaqësitë revanshiste ruse që nuk janë ndryshe nga të njëjtat aspirata në Gjermani që hapën rrugën drejt pushtetit për nazistët.
Rusia moderne
Rezultatet në Rusi janë gjithashtu të ngjashme, dhe paralelet mund të zhvillohen më tej. Aneksimi i Krimesë kryesisht rusisht-folëse dhe pushtimi i Donbasit në vitin 2014 i bëri jehonë marrjes në kontroll të Sudetenland nga Hitleri, i cili gjithashtu pretendoi se do të sillte në shtëpi gjermanishtfolësit që ndodheshin në Rajhun gjerman. Dhe sigurisht pushtimi i Ukrainës në shkurt të këtij viti i referohet pushtimit të Polonisë.
Që nga rënia e komunizmit në 1991, ka pasur një armëpushim midis Perëndimit dhe Moskës.
Tani i ka ardhur fundi.
Vërtet, Rusia e Putinit është një shtet shumë i ndryshëm nga Bashkimi Sovjetik i Brezhnevit, por Gjermania e Hitlerit ishte gjithashtu e ndryshme nga ajo e Kaizerit. Në krahasim me sovjetikët, Putini është më radikal dhe i pamëshirshëm.
Prej disa kohësh ai dhe propagandistët e tij kanë thënë se Rusia nuk po lufton vetëm me Ukrainën, por është duke u përfshirë në një luftë me NATO-n dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.
Tani, Perëndimi po përballet edhe me këtë realitet.
Nuk është ende Lufta e Tretë Botërore, por tani kemi hyrë në një fazë vendimtare në luftën e gjatë kundër Moskës.