Nga Adriatik Doci
Britania e Madhe është më konkrete se sa Shtete e Bashkuara të Amerikës në motivacionin e shpalljes non grata të Sali Berishës, i cili ka marrë goditjen e dytë të madhe politike nga Perëndimi. Britania e Madhe ka futur në listën e zezë Sali Berishën, duke e akuzuar për korrupsion dhe pasurimin familjar, ku si shembull sillet historia e Damir Fazlliç, i cili erdhi në Tiranë, pastroi para, mashtroi banka dhe pasuri Argita dhe Jamarbër Malltezi, dhe u largua nën mbrojtjen e Berishës pa i hyrë gjemb në këmbë. Është një episod flagrant dhe i stër faktuar korrupsioni, pastrimi parash, përdorimi të pushtetit për pasurim familjar, gjunjëzimi të drejtësisë etj.
Po cila është historia e Sali Berishës me Damir Fazlliç?
Biznesmeni kontrovers serbo-boshnjak Damir Fazlliç u shfaq në vitin 2006, një vit pasi Sali Berisha kishte ardhur në pushtet me moton e duarve të pastra. Fazlliçi kishte qenë mik dhe këshilltar i Sali Berishës në fushatën zgjedhore 2005 dhe tashmë do të korrte fytet e këtij investimi.
Damir Fazlliç gjeti fillimisht një formë për të paguar Argita Berishës, duke i kërkuar kësaj të fundit konsulencë për të blerë prona në zonën e Porto Romanos, pranë fshatit Rinia, ku synonte të ndërtonte një depozitë karburantesh. Pronat do t’ja blinte bashkëshortit të Argitës, Jamarbër Malltezit, rrjedhimisht dhëndri i Berishës. Jamarbëri u blinte pronat fshatarëve të varfër me 9 euro m2 dhe ia shiste Fazlliçit me 18 euro m2.
Burimi i parave të Damir Fazlliçit janë dy: Para në dorë që vijnë nga parajsat fiskale, një skemë e përdorur prej kohësh në të gjithë botën si metodë korrupsioni dhe pastrimi parash, pasi ka avantazhin e madh që nuk lë gjurmë. Dhe kredi në banka të nivelit të dytë, gjoja për të bërë investimin, kredi që nuk e shleu kurrë.
Flutura Kola, dora e besuar e Argita Berishës, pa e njohur kurrë Damir Fazlliçin para se t’ia prezantonte Argita Berisha, merr prej tij menjëherë aksesin total në llogarinë e tij bankare personale nga e cila, nga shkurti deri në dhjetor 2007 tërheq shumën 2.195.000 euro. Janë të gjitha euro që vijnë të gjitha nga 2 shoqëri off shore me seli në Qipro që ajo i përdor si para cash për të paguar pronarët e tokave në Porto Romano.
Në skenë Jamarbër Malltezi
Damir Fazlliç, përmes kompanisë Croën Acquisition dhe sipas këshillave të Argitës, ka blerë rreth 60.000 metra katrorë tokë arë, duke e paguar 18 euro për metër katror, pranë Parkun Energjetik dhe ku është e mundur të ndërtohej depozita e gazit dhe naftës që Fazlliçi kishte ndërmend të realizonte.
Në këtë moment hyjnë në skenë bashkëshortët e Argita Berishës dhe Flutura Kolës, Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola. Ata blejnë tokat duke gënjyer fshatarët e zonës, të cilëve ua blejnë tokën vetëm 1200 lekë për metër katror (në atë kohë rreth 9 euro) duke e ditur se mund t’ja shisnin Fazlliçit me dyfishin e çmimit.
Jamarbër Malltezi me 23.07.2007 blen nga familja Matmuja 6512 metra katrorë tokë arë tek fshati Rinia që e paguan 7.814.000 lekë të reja, që janë baras me 58.500 euro. Më 11 shtator 2007, Jamarbri ia rishet të njëjtën tokë prej 6512 metra katrorë Damir Fazlliçit, duke arkëtuar 117.2016 euro. Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola e përsërisin të njëjtin mashtrim shumë herë të tjera atë verë të artë të 2007, duke blerë toka nga fshatarët dhe nga pensionistët me 9 euro për metër katror dhe duke ja shitur menjëherë Damir Fazlliçit me 18 euro. Berisha-Malltezi-Kola fitojnë në dy muaj 445.000 euro në para cash nga Fazlliçi dhe fshatarët.
Berisha favorizon Fazlliçin me vendim qeverie
Tokat që Jamarbër Malltezi i shiste Fazlliçit, pas konsulencës së Argitës, nuk ishin të gjitha brenda perimetrit të parkut energjetik. Në këto rrethana hyn në lojë Berisha, i cili nuk ka ngurruar kurrë të përdorë pushtetin për favorizuar klientët e fëmijëve të tij. Më 23 prill 2008 Sali Berisha firmos VKM me numrin 703 me të cilën aprovon studimin “Zhvillim i integruar (në sinergji) i zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj”. Praktikisht Sali Berisha ndryshon perimetrin e Parkut Energjetik që nga 54 hektarët e aprovuar në 2001 e shtrihet në një sipërfaqe prej 801 hektarësh, duke përfshirë natyrisht edhe tokat e blera nga Fazlliç, i cili kishte paguar dhëndrin dhe vajzën e Berishës. Investimi ishte Fazlliç, siç edhe rezultoi më pas, ishte thjeshtë një mashtrim për pastrim parash. Historia është zbardhur e plotë nga Report Tv përmes një investigimi i ndarë në tre pjesë, publikuar në mars 2021.
Damir Fazlliç ‘i del boja’
Me 2 tetor 2008 Damir Fazlliç ndalohet nga forcat speciale të Sarajevos, në Bosnjë, pasi u kap në shoqërinë e Naser Oriç, një ish komandant i ushtrisë boshnjake i dënuar për krime lufte nga gjykata e Hagës. Fotoja e tij me pranga del dhe në mediat shqiptare duke ndezur një rrebesh politik. Opozita socialiste denoncon publikisht aferat e Damir Fazlliçit me familjen Berisha dhe Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Ina Rama vendos të nisë hetimet për pastrim parash. Reagimi i Berishës është një shpërthim i menjëhershëm: kërkon të ndalojë me çdo kusht hetimet që mund të kërcënojnë edhe familjen e tij dhe urdhëron Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme të ndërhyjnë me çdo mjet. Aldo Bumçi dhe Bujar Nishani, që janë krerët e dy dikastereve, ndërhyjnë.
Berisha rrethon prokurorinë
Prokurorët që hetojnë Damir Fazlliçin kërkojnë ta marrin në pyetje, por ai ka dalë me kohë jashtë vendit. Ata u kapen ne befasi kur me 9 tetor 2008 me urdhër të Sali Berishës, Fazlliç mbërrin në Tiranë me një avion privat për pak orë, me të vetmin qëllim për të dhënë një intervistë televizive që ta shfajësojë dhe që në të njëjtën kohë të mbrojë qeverinë. Prokurorët e zbulojnë kur Fazlliç ishte tashmë në rrugën e kthimit drejt aeroportit të Rinasit, gati për t’u larguar nga Shqipëria me nxitim.
Policia jo vetëm nuk zbatoi urdhrin e lëshuar nga Prokuroria për ndalimin e Damir Fazlliç, por nën urdhrat e Berishës dhe ministrave të tij, policia u kthye në mburojë e Fazlliçit, duke mos lejuar prokurorët t’i afroheshin. Skandali ishte i paprecedentë dhe që konfirmonte kapjen e shtetit nga Familja. Historia dihet si përfundoi: U pasuruan miliona euro, u mashtrua me projektin dhe në fund askush nuk u ndëshkua.
Por atë që duhet ta bënte drejtësia shqiptare tashmë po e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Në vendimin e DASH të 19 maji 2021, për shpalljen non grata të Berishës, thuhet se ky i fundit ka përdorur pushtetin për pasurimin e familjes së tij. Britania e Madhe thekson gjithashtu se Berisha ka përdorur pushtetin për pasurimin e tij personal, por duke sjellë si shembull ilustrues historinë me Fazlliçin./Shqiptarja.com