Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në një takim online me homologun e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ata kanë diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë.
Tre liderët ranë dakord për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës dhe me qëllim krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur.
Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Çështje Ekonomike, Bojan Mariçiq dhe Fatmir Bytyqi, koordinatori nacional për Ballkanin e Hapur, Marjan Zabërçanec, drejtori i SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski dhe Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski shprehu falenderime për mbështetjen e hapur që Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Rama e kanë shprehur në lidhje me propozimin e modifikuar evropian. Ai i ka informuar ata se propozimi francez është dërguar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Rama dhe Vuçiç veçmas përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kryeministri Kovaçevski, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët shoqëror në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Në takimin e sotëm, liderët e nismës Ballkani i Hapur theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të shfrytëzimin e lidhjes rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët.
Në takim, u potencua se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, në të cilin kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.