Çifti Meta-Kryemadhi prej 30 vitesh ndodhen në krye të politikës shqiptare, duke qenë, President, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm, i Ekonomisë, kryetar mazhorance, kryetar opozite, kryetar partie e shumë poste të tjera.
Zyrtarisht ata janë paguar me rrogë shteti, por pasuria e tyre e deklaruar arrin me miliona euro.
Asnjëherë nuk është bërë një verifikim i veçantë për ta që të justifikojnë pasurinë që kanë deklaruar vetë, për të mos folur për atë që thuhet se kanë në të vërtet, ku mediat flasin për miliona euro asete dhe prona.
Kohët e fundit ata janë shfaqur si puritan. Sikur korrupsioni që po lulëzon në këtë vend, nuk ka lidhje me ta.
Sikur videoja Meta-Prifti është një ngjarje që i përket një kohe dhe vendi tjetër.
Sikur një numër zyrtarësh të lidhur me partinë e tyre private që janë arrestuar për korrupsion, jo t’u jenë vënë prangat por të kenë marrë dekorata si ato që të jep Meta me shumicë në presidencë.
Sikur Adriatik Llalla nuk ishte nje person i vendosur nga Ilir Meta në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u dënua për shperdorim detyre dhe fshehje pasurie.
Sikur Lefter Koka dhe Alqi Bllako të mos jenë dy nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës.
Dhe nëse i referohemi ish-deputetit Bllako, ai ka shkuar në burg, sepse akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.
Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar kompaninë për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.
Për këto dy akuza Bllako ndodhet në burg, prej disa muajsh, dhe mediat dhe opinioni publik është ngarkuar me zhurmë pa fund, sidomos nga familja e presidentit dhe nga shpura e tyre politiko-familjare.
Por ditët e fundit në media, në atë pjesë që ende nuk janë të kapur nga familja Meta kanë dalë fakte që në vende të tjera do të kishin krijuar furtunë nëse do të ishin publikuar.
Janë publikuar disa dokumente që ngrenë dyshime të forta për një skemë korrupsioni dhe përfitimi të paligjshëm nga Drini Kryemadhi, vëllai i Monika Kryemadhit, kunati i Ilir Metës, të cilit dyshohet se së fundmi i janë zbuluar dhe aferat me lobime jashtë vendit me para të padeklaruara.
Skandali këtë herë qëndron, në raport me kompaninë koncesionare SGS të kolaudimit të automjeteve, ku vëllai i Monikës, inxhinieri Drini Kryemadhi ishte me pagë tek SGS më të lartë se sa CEO i kompanisë dhe disa fish më të lartë se sa inxhinierët e tjerë. Dyshime të forta ka edhe që gjatë 7 viteve ai shkoi vetëm disa herë në punë.
Si qëndron e vërteta e pasurisë së kunatit të Ilir Metës?
Drini Kryemadhi ka nisur punë pranë SGS-së në fund të 2013-s dhe deri në 2020 është paguar me rreth 4 mln lek të vjetra rrogë mujore. Përveç kësaj, në largim në 2020 merr edhe një bonus prej 30 mln lekësh, megjithëse pozicioni ishte thjesht inxhinier mekanik.
Përveç emrit në borderotë e kompanisë dhe të mbiemrit të të motrës deputete e më pas kryetare të LSI-së, Drini Kryemadhin askush nuk e ka parë në punë. Megjithatë, në total Drini Kryemadhi ka marrë pa u paraqitur thuajse fare në punë, nga koncesionari SGS që kontrollohej nga Ministria e Transporteve (LSI pas 2013-s) plot 36,044,594 lek të reja për periudhën nëntor 2013-dhjetor 2020!
Pra, për 7 ditë punë në 7 vite punësim, vëllai i Monika Kryemadhit ka marrë 360 mln lek të vjetra.
Kësaj shifre i shtohet edhe bonusi 30 mln lekësh kur u largua.
SGS-së i interesonte ky punësim, pasi me rrogën e Drinit kishte hequr qafe kontrollet nga Ministria e Transporteve, ku zv.ministër në atë kohë ishte Edmond Haxhinasto. Të gjithë fitonin. Kompania shkelte kontratën, nuk kryente investimet e parashikuara dhe ishte kthyer në çerdhe korrupsioni, ku automjetet kalonin kontrollin teknik me 20 mijë lek nën dorë.
Fitonte gjithashtu edhe Drini Kryemadhi dhe të vetmit që humbisnin ishin shqiptarët, që mbajtën në kurriz një koncesion të dyshimtë për një dekadë.
Për këto akuza që thamë më lart, që duket qartë se është shumë më shumë se ajo që akuzohet ish sekretari i përgjithshëm i Ilir Metës, nuk ka asnjë hetim, madje edhe mediat heshtin në mënyrë të habitshme, le më të kemi ndjekje penale apo arrestim të vëllait të Kryemadhit.
Sa thamë më lart duket qartë që LSI dhe Ilir Meta sulmojnë dhe akuzojnë ata që nuk janë më në gardhin e tyre, ndërsa për ata që lekët i kanë çuar në familjen e tyre çdo gjë është e drejtë.
Në një vend normal edhe ish-deputeti që është arrestuar do të arrestohej dhe dënohej, edhe vëllai i Monika Kryemadhit do të arrestohej dhe dënohej.
Për momentin jemi ende larg./Vox News