9 maj, Moskë. Parada vjetore ushtarake e Ditës së Fitores u mbajt sërish në Sheshin e Kuq, por me më pak ushtarë dhe automjete ushtarake sesa vitet e tjera. Ajo ishte zvogëluar me 35 për qind. Fjalimi i shkurtër dhe i matur i presidentit rus Vladimir Putin, u përpoq të justifikonte sulmin që ai kishte nisur kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Putin dukej në prag të humbjes. Një muaj më parë, në një dështim të dukshëm, ushtria ruse ishte larguar me nxitim nga zona përreth kryeqytetit ukrainas të Kievit. Shumë ushtarë rusë ishin plagosur dhe vrarë. Humbja e pajisjeve ushtarake ishte e paimagjinueshme.

Një raport nga Ministria britanike e Mbrojtjes e Mbretërisë i datës 15 maj, thoshte se Rusia kishte humbur 1/3 e forcave të saj luftarake, dhe një pjesë të madhe të pajisjeve të saj të rënda.

Më 14 maj, trupat ruse u tërhoqën nga Harkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Ato ishin dëbuar nga forcat ukrainase deri në kufirin rus. “Fitorja” e vetme e Rusisë ishte shkatërrimi total i qytetit të Mariupolit, buzë Detit Azov.

Komunikimet e përgjuara nga shërbimet amerikane të inteligjencës, treguan se ushtria ruse kishte një moral të dobët, ndërsa ishin shtuar rastet e mosbindjes, rebelimit dhe refuzimit për t’iu bindur urdhrave të eprorëve. Shumë gjeneralë rusë ishin vrarë në front.

Më pas trupat ruse filluan t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në rajonin e Donbasit, dhe që atëherë kanë zhvilluar atje një luftë shkatërruese. Pjesa më e madhe e pajisjeve ushtarake moderne të Rusisë është shkatërruar. Pajisjet e saj më të vjetra datojnë nga vitet 1960, por Putini ka shumë bomba.

Rusia po bombardon prej javësh pozicionet e trupave ukrainase. Ajo po përparon shumë ngadalë, por po shkatërron gjithçka që ndesh rrugës. Trupat ruse kanë rrafshuar jo vetëm pjesën më të madhe të Mariupolit, por edhe Severodonjeckut dhe Lisiçanskut.

Ushtria ukrainase po reziston me shumë guxim, por nuk ka mjaftueshëm armë të rënda për t’i dhënë fund shkatërrimit, për ta ndaluar ofensivën e Rusisë apo për të kryer një kundërsulm efektiv. Putini shpreson që me kalimin e kohës bota perëndimore do të humbasë interesin për Ukrainën, dhe do të fokusohet te problemet e tjera.

Në fillim, administrata e presidentit amerikan Xho Bajden dukej e gatshme të miratonte ndryshimin e regjimit në Kiev. Madje zyrtarët amerikanë i ofruan Zelenskit një largim të sigurt nga vendi. Por ky i fundit reagoi: “Unë kam nevojë për municione, dhe jo për një avion që të iki nga vendi!”

Kur u duk se ushtria ruse po dështonte dhe kur Zelenski kishte arritur të mobilizonte opinionin e botës perëndimore, Bajden nisi më në fund ta mbështeste Ukrainën. Gjithsesi, disa lloj armësh amerikane që kishte kërkuar Ukraina u dërguan me vonesë ose nuk u dërguan fare.

Për shembull, Ukraina kërkoi që në mars HIMARS (sistemi i artilerisë me lëvizshmëri të lartë), që është shumë thelbësor për të luftuar artilerinë ruse. Bajden dërgoi 4 prej tyre, por kërkoi paraprakisht që rrezja e tyre të ishte maksimumi 80 km. Së fundmi janë dërguar edhe 4 njësi shtesë HIMARS, dhe thuhet se 4 të tjera do të dërgohen së shpejti.

Por edhe 12 HIMARS në total janë ende shumë pak për të ndryshuar ekuilibrat në fushën e betejës. Ushtria ukrainase ka nevojë urgjente për mbrojtje ajrore me rreze të gjatë dhe po ashtu për artileri me rreze të gjatë. Dhe ajo nuk i ka ato për momentin. Vendet europiane, që janë anëtare të NATO-s, e mbështetën Kievin dhe dërguan armë.

Por asnjë vend europian nuk ka një ushtri mjaftueshëm të fuqishme apo një sasi të konsiderueshme materialesh ushtarake. Ndërsa vendet e Europës Qendrore, shtetet baltike dhe Mbretëria e Bashkuar mbajtën një qëndrim të vendosur që në fillim, duke thënë se Putini duhej mposhtur, vendet e mëdha të Europës Perëndimore – Franca, Gjermania dhe Italia – u përpoqën në fillim të arrinin një kompromis me Putinin.

Ata i dhanë Ukrainës vetëm një pjesë të ndihmës ushtarake të premtuar, dhe atë me shumë ngurrim. Presidenti francez Emanuel Makron, tha se Putini nuk “duhet poshtëruar”, edhe pse bashkë me kancelarin gjerman Olaf Sholc dhe kryeministri italian Mario Dragi, vizituan Kievin më 16 qershor, gjoja për të treguar mbështetjen ndaj Ukrainës.

Samiti i udhëheqësve të G7 në qershor – Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – por edhe samiti i NATO 2 dytë më vonë shprehën mbështetjen e plotë për Ukrainën. Një konferencë ndërkombëtare donatorësh u organizua më 4 korrik në Lugano të Zvicrës për rindërtimin e Ukrainës.

Dëmet e shkaktuar deri tani nga Rusia në Ukrainë janë vlerësuar në 750 miliardë dollarë. Por të diskutosh për rindërtimin në një kohë kur lufta nuk ka mbaruar është më së paku e parakohshme, pasi shkatërrimet vazhdojnë. Nuk ka asnjë dyshim se kjo luftë ka vënë në rrezik sigurinë dhe vlerat e botës perëndimore, siç janë lidershipi i botës së lirë transatlantike dhe vlera të tilla si liria dhe e drejta e vetëvendosjes kombëtare.

Nëse nuk mbrohen me forcë dhe vendosmëri në Ukrainë, ato mund të mos mbijetojnë.
Shkatërrimi gati total i qyteteve të tëra, së bashku me shtëpitë e civilëve, nuk ka precedent në Europë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. As krimet e tmerrshme të luftës të kryera në Buça dhe qytete të tjera në periferi të Kievit dhe Harkiv. Gati dy milionë ukrainas janë dëbuar dhe dërguar me forcë në Rusi, disa në kampet e paraburgimit në Siberi, mijëra km larg shtëpive dhe vendit të tyre.

Krimet e shumta të kryera nga Rusia që nga 24 shkurti, kanë nxitur shumë ekspertë të ligjeve ndërkombëtare të deklarojnë se Moska po kryen gjenocid. Pushtimi i Ukrainës pa një shpallje zyrtare të aktit të luftës është në vetvete një krim lufte.

Në një fjalim të kohëve të fundit, Putini e krahasoi veten me Carin Pjetri i Madh, dhe e barazoi pushtimin rus të Ukrainës me luftërat ekspansioniste të Pjetrit 3 shekuj më parë.

Shtetet baltike, Finlanda, Suedia dhe Polonia kanë të gjitha arsyet të ndihen të kërcënuar. Nëse Putini nuk mposhtet, ai nuk do të ndalet në Ukrainë. Deklaratat e bëra përditë nga propagandistët e regjimit të Putinit në televizionin shtetëror, me një ton urrejtjeje, ngjallin imazhe të frikshme. Ato nënkuptojnë shkatërrimin dhe skllavërimin e të gjithë Europës, si dhe sulmet bërthamore kundër Francës, Britanisë dhe SHBA-së.

Madje ish-presidenti rus Dimitri Medvedev shkoi aq larg sa deklaroi se Rusia mund t’i japë fund ekzistencës së njerëzimit. Putini po udhëheq aktualisht një fushatë për asgjësimin e infrastrukturës dhe bazës industriale të Ukrainës.

Ai duket se dëshiron që Ukraina të bëhet një vend i rrënuar, jofunksional, dhe praktikisht i pamundur për t’u rindërtuar pasi kostot do të ishin shumë të larta. Dhe sa më shumë të kalojë koha, aq më të larta do të jenë ato.

Putini po pengon eksportin e grurit ukrainas, dhe po kërcënon me uri dhe trazira të mëdha shumë vende të varfra në botën arabe, Afrikën Subsahariane dhe Azinë. Kina nuk ndërhyri dhe nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, megjithatë ajo mbetet aleatja që e ndihmon Rusinë.

Presidenti kinez Xi Jinping nuk i fsheh ambiciet e tij për dominimin e botës dhe robërimin e gjithë të tjerëve. Marrëveshja e nënshkruar nga Putini dhe Xi më 4 shkurt në Pekin, 3 javë përpara se Putini të sulmonte Ukrainën, përbën në fakt skicën e një rendi të ri botëror, brenda të cilit konceptet e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit nuk do të kishin më asnjë kuptim.

Një luftë përfundon vetëm kur ka një fitues dhe një humbës. Në situatën aktuale, Putini është agresori i pamëshirshëm që po shkel të gjitha rregullat dhe vlerat e Perëndimit. Ai duhet të mposhtet. Nëse nuk ndodh kjo, pasojat e luftës nuk do të kufizohen vetëm në Ukrainë. Ata do të jenë shkatërruese për gjithë botën.

Ushtria ruse nuk është e pathyeshme. Përkundrazi, ajo ka treguar shumë të meta. Është ushtria e një shteti të dobët: PBB-ja e Rusisë është më e vogël se ajo e Italisë. Ushtria ruse mund të mposhtet dhe shkatërrimet në Ukrainë mund të marrin fund. Ajo që mungon është vullneti i qartë dhe konkret nga Perëndimi. Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin në mposhtjen e Putinit.CNA.al