Nga Enver Robelli/
Boris Johnson në vitet 90-të ka qenë korrespondent nga Brukseli i gazetës britanike Daily Telegraph.
Në atë kohë ai ka shkruar pandërprerë lajme të rrejshme. Fantazia e tij ka qenë aq e zhvilluar, saqë i ka argëtuar jo vetëm lexuesit në Britaninë e Madhe. Më 1991 Johnson shkroi se «industria e gomës» në Itali ka prodhuar kondomë të shkurtër për italianë dhe kësisoj i ka shkelur ligjet e BE-së.
Andaj, alarmonte Johnson, BE e ka ndërmend të standardizojë gjatësinë e kondomëve. Legjenda tjetër e Johnsonit: BE, raportonte ai, e ka ndërmend të themelojë një «polici bananesh», e cila do të kujdeset që bananet që shiten në BE të kenë formën e njëjtë.
Po ashtu BE do të mundësojë që në treg të shiten edhe dredhëza katërkëndëshe. Sipas Johnson, BE nuk do të lejojë që fëmijët nën 8 vjeç të fryjnë vetë balonat. Qeset e çajit do të ndalohen. Edhe si kryeministër në tri vitet e fundit, Johnson ka pasur një raport fleksibël me të vërtetën. Javën që shkoi gjysmë të vërtetat e tij u shpalosën si rrena. E braktisën edhe besnikët e fundit.
Nuk i mbeti asgjë tjetër përveç se të paralajmërojë dorëheqjen. Për publikun e etur për humor një lajm i keq. Për Britaninë e Madhe mbase lajm i mirë.