Tre deputetë të Partisë Socialiste kanë komentuar për Euronews Albania protestën e sotme të opozitës. Petro Koçi është shprehur se Sali Berisha është specialist i dhunës.

“Protesta është për të bërë presion mbi gjykatën që të fitojë Sali Berisha, por nuk besoj se gjykatat tremben. Kjo është një opozitë që nuk kredible, një opozitë që sulmon institucionet, qe i vë zjarrin Shqipërisë në një moment ku nevoja për stabilitet është e nevojshme. Saliu është specialist i dhunës, varet sesi do të jenë zhvillimet e protestës. Kjo nuk tremb njeri, por i bën dëm Shqipërisë”, u shpreh Koçi.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, njëkohësisht edhe deputet, Damian Gjiknuri ka deklaruar se protesta është totalisht e panevojshme. “Shpresoj protesta të jetë paqësore. Nëse do ndjekim retorikën e Berishës, patjetër që do kthehemi mbrapa në histori, shqiptarët i kanë lënë pas ato”, tha ai.

Ndërkohë, Nasip Naçi shprehet se protesta nuk po zhvillohet kundra mazhorancës.

“Besoj që çdo qytetar ka të drejtën të protestojë, pyesni Berishën për organizimin dhe skenarin. Nuk besoj se protesta do të zgjidhë ndonjë gjë, pas protestës do përcaktohet lidershipi real i PD-së. Nuk bëhet kundra nesh”, u shpreh ai.