Pasi kanë kaluar më shumë se dy vite që nga raportimi i rastit të parë të infektimit me Covid-19, Wuhan, qyteti ku edhe nisi ajo që solli më pas një pandemi e cila përfshiu tërë globin, ka shpallur sot karantinën.
Wuhan, kryeqyteti i provincës Hubei në Kinë, mbylli ka izoluar gati një milion qytetarë pasi zbuloi katër raste asimptomatike me Covid. Masda vjen si një vijimësi e politikës së Pekinit “zero-Covid”.
Autoritetet urdhëruan 970,000 banorët e rrethit Wuhan të Jiangxia të hyjnë në një karantinim tre-ditor, gjatë të cilit do të ndalohen mbledhjet e në grupe, ngrënia në restorante, mbyllja e vendeve të ndryshme argëtuese publike, tregjet e produkteve bujqësore dhe pezullimi i shërbimeve të autobusëve dhe metrosë.
The Times raporton se ky është bllokimi i parë i qytetit që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, kur u vendos një izolim në të gjithë qytetin nga janari në prill pas zbulimit të rasteve të para të infektimeve me koronavirusin.
Vendimi u mor mbrëmë vonë pasi autoritetet konfirmuan dy raste të infektimit me Covid-19 gjatë testimit të rregullt dhe evidentuan edhe dy raste të tjera pas kontrollit të kontakteve të ngushta me të infektuarit.
Pavarësisht kritikave nga ekspertët e shëndetësisë, qeveria kineze po vijon testimet masive, kufizime të papritura në aktivitetet e biznesit dhe lëvizjet e njerëzve, si dhe masa të rrepta karantine për të ndaluar përhapjen e virusit.
Masat e marra nga qeveria kineze, janë në kontrast me politikat e ndjekura nga qeveritë e shteteve të tjera, të cilat kanë lehtësuar masat prej kohësh. Masat e rrepta kanë rezultuar shpesh në dëmtim të ekonomisë.
Stafi i ambasadës amerikane në Kinë është ndër ata që ankohen për politikën zero-Covid, e cila sipas The Washington Post, kishte shkelur të drejtat e diplomatëve amerikanë në një masë të panjohur më parë dhe i detyroi ata të jetonin në frikë të vazhdueshme.
“Të paktën 16persona pjesë e personelit diplomatik amerikan ose anëtarë të familjes së tyre, janë dërguar kundër vullnetit të tyre në qendrat e karantinës mjekësore të qeverisë kineze të cilat mund t’i ngjajnë burgjeve”, tha gazeta, duke shtuar se Departamenti i Shtetit i SHBA kishte arritur në përfundimin se ndalimi i lidhur me Covid-in në qendrat e karantinës shkelte Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Kina ka mohuar që politikat e saj zero-Covid shkelin të drejtat e diplomatëve amerikanë dhe përsëriti se të dërguarit e huaj duhet të respektojnë ligjet e vendit.
Por ndërsa Partia Komuniste në pushtet këmbëngul se politika do të vazhdojë, kreu i Qendrës së Kinës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) i cili ndihmoi në udhëheqjen e reagimit ndaj pandemisë së koronavirusit, do të japë dorëheqjen.
Në një deklaratë, CDC ia atribuoi daljen në pension të George Gao Fu, 60 vjeç, moshës së tij, megjithëse shumë zyrtarë kinezë qëndrojnë në detyrë deri në të 60-at e tyre dhe madje edhe më gjerë.
Gao pasohet nga Shen Hongbin, i cili është anëtar i Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe ish-president i Universitetit Mjekësor të Nanjing.
Gao, i cili mori këtë rol në vitin 2017, tha se do të vazhdojë t’i kushtojë energjinë e tij kontrollit të sëmundjeve dhe zhvillimit të shëndetit publik pas largimit të tij.