Një ditë pasi kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për t’i shkuar deri në fund amnistisë fiskale, Dhoma e Biznesit të Diasporës rendit arsye pse Shqipëria ka nevojë që kjo nismë të finalizohet.
Gjin Gjoka, një nga themeluesit e Dhomës dhe që operon në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, thotë se ka kontakte me dhjetëra emigrantë që kanë krijuar të ardhura nga puna në të zezë dhe po presin amnistinë për të ardhur dhe investuar në Shqipëri.
Gjin Gjoka, Dhoma e Biznesit të Diasporës: “Janë me qindra-milionë euro që presim të vijnë në Shqipëri pa asnjë record kriminal. Unë jam pro amnistisë fiskale. Kemi 30 vite që kemi emigruar, kemi 1.2 milionë emigrantë në Australi. Kanada, Amerikë,. Evropë, që kanë punuar në kushte shumë të vështira, kanë kursyer paratë dhe sot janë të gatshëm të bëjnë një investim. Ata nuk kanë asnjë problem, asnjë rekord. Kam shumë kontakte, kam shumë persona që nuk i përmend dot me emra që kanë nga 1 milion apo 2 milionë dollarë, të cilët mosha po i rëndon, po kalojnë 40-50 vjeç dhe sot duan të vijnë të investojnë në vendin e tyre. Përditë kam pyetje nga shqiptarët në diasporë që janë me dokumente të rregullta dhe kanë paratë e kursyera dhe më pyesin çfarë po bëhet me amnistinë.”
Si një prej shqiptarëve që në periudhën postkomuniste emigroi, Gjin Gjoka dëshmon se pasurinë që një pjesë e mirë e emigrantëve kanë sot e kanë krijuar nga puna e krahut dhe jo nga aktivitetet kriminale.
Ai shton se nuk duhet që frika se nga amnistia mund të përfitojnë edhe të inkriminuarit, ta lërë Shqipërinë në vendnumëro, veçanërisht në këtë periudhë krize, kur ekonomia ka nevojë për likuiditet.
Gjin Gjoka, Dhoma e Biznesit të Diasporës: “Ne nuk mund të qëndrojmë stop në vend pa bërë amnistinë fiskale për të sjellë të ardhura dhe për të pasuruar xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit nga frika e të inkriminuarve. Jemi një vend demokratik, i rregullt, jemi SPAK, organe të drejtësisë kemi infiltrim që këta persona të kontrollohen. Unë nuk jam dakord që të vijë një njeri me problem dhe me rekorde kriminale. Por ju premtoj, do vijnë njerëzit që nuk kanë as rekorde kriminale, përveçse kursimeve të tyre. Ka shumë nevojë për likuiditet në këtë situatë krize, ka nevojë për investim.”
Fakti që 66% e shqiptarëve që kanë plotësuar pyetësorin janë shprehur pro amnistisë fiskale, sipas Gjin Gjokës mjafton për ta miratuar dhe nisur zbatimin e kësaj nisme.