Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje palëve që nënshkruan javën e kaluar marrëveshjen për të zhbllokuar eksportet e grurit ukrainas në Detin e Zi të respektojnë dhe zbatojnë paktin.
“Presim që të gjithë të marrin angazhimet e nënshkrimeve të tyre dhe të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë”, tha presidenti Erdogan në një intervistë për TRT.
“Me këtë marrëveshje, efektet në krizën globale të ushqimit, që po arrin dimensione serioze, do të fillojnë të lehtësohen”, shtoi ai.
Të premten, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për të vazhduar eksportin e grurit përmes porteve ukrainase Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny, pas disa muajsh bllokadë për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
Në kuadër të marrëveshjes, një qendër e përbashkët koordinimi është krijuar në Stamboll për të kryer inspektime në hyrjet dhe daljet e porteve, si dhe për të garantuar siguri të rrugëve.
Duke iu referuar sulmit rus të fundjavës në portin Odesa, presidenti Erdogan tha se sulmi hidhëron Turqinë, duke shtuar se dështimi për të zbatuar marrëveshjen do të vepronte kundër të gjithëve.