I matur me metodën e Eurostat, inflacioni në muajin qershor 2022 ishte 6.6% afërsisht 0,8 pikë për qind më i ulët se matjet kombëtare.
Shqipëria ishte në mesin e 5 vendeve me inflacionin më të ulët. Në muajin qershor, inflacioni mesatar në Europë ishte 9.6%, ndërsa në Shqipëri 6.6%. Niveli më i lartë i inflacionit në këtë muaj u shënua në Estoni me 22%dhe Lituani mbi 20 për qind, ndërsa niveli më i ulët u shënua në Zvicër me rreth 3% dhe Islandë me rreth 5%.
Sipas matjeve nga metodologjia e Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 15,8% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 11,1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%, “Veshje dhe këpucë” me 2,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,3%, “Shërbimi arsimor” me 0,9%, “Komunikimi” me 0,6% dhe “Shëndeti” me 0,5%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,3%.
Në muajin qershor 2022, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,4%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,7%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 % dhe “Komunikimi” me 0,1 %.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,4%, pasuar nga “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,6% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% dhe “Hotele kafene dhe restorante” me 0,4%.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./Monitor