Riviera Shqiptare ose ndryshe Karaibet evropiane është zona më pak e njohur e Mesdheut, megjithatë fsheh vende unike që ia vlen të vizitohen, ndërkohë që gjëja më e mirë janë çmimet më shumë se të përballueshme, shkruan Helena Tomas për faqen e njohur spanjolle ”Vanitatis” (www.vanitatis.elconfidencial.com).
”Ka shumë mundësi kur zgjedhim destinacionin për pushimet tona të ardhshme. Jo më kot, ajo që shumica prej nesh dëshirojmë është të gjejmë një vend ku nuk kemi qenë më parë dhe ta zbulojmë për herë të parë, pa shpenzuar shumë dhe, nëse është e mundur, të mos jetë i mbipopulluar.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, mundësitë janë ulur sepse çmimet nuk ndalojnë së rrituri dhe njerëzit mbushin qytetet dhe plazhet.
Për fat të mirë, ka ende cepa të hartës që nuk janë aq të njohura në mbarë botën dhe kjo garanton që fluksi i njerëzve të jetë shumë më i vogël dhe se ne do të mund të lëvizim e të qëndrojmë atje me një kosto shumë më të lirë.
Një shembull?
Riviera Shqiptare, bregdeti shqiptar në Mesdhe, për të cilin pakkush ka dëgjuar dhe që megjithatë është plot me peizazhe unike dhe plazhe parajsore sikur të ishin Karaibet.
Shqipëria është një nga vendet më autentike dhe më të panjohura të Europës Jugore.
E vendosur në Gadishullin Ballkanik, ajo kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, dhe rreth tre milionë banorët e saj jetojnë në një territor të ngjashëm në madhësi me rajonin e Galicias.
Megjithatë, zona të cilës i referohemi është ajo midis Vlorës dhe Ksamilit. Rreth 150 kilometra vijë bregdetare plot plazhe me ujëra të kristalta. I lagur nga dy dete, Adriatik dhe Jon, të dy kanë plazhe interesante, por fama e Rivierës Shqiptare, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një parajsë për pamjet e saj unike.
Kështu, nuk është për t’u habitur që disa nga qytetet e kësaj zone janë zgjedhur për verë nga vetë shqiptarët, të cilët nuk e vlerësojnë mundësinë e largimit nga vendi me pushime duke ditur plazhet e tyre spektakolare që kanë.
Duke filluar nga Vlora, qyteti i tretë më i populluar në vend, vetëm pas Tiranës dhe Durrësit, si dhe porti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas Durrësit. Plazhet më të mira të zonës janë në jug, veçanërisht plazhi i Orikumit, në gjirin e madh të Vlorës, që të çon në gadishullin e Karaburunit, ku mund të arrihet edhe me varkë. Ia vlen të shkoni dhe të shijoni një ditë në këto plazhe për shkak të ngjashmërisë që ndajnë me ato të Karaibeve.
Nga Vlora, mjafton të ndiqni një rrugë që përshkon më shumë se 100 kilometra përgjatë bregut të Jonit mes shkëmbinjve, maleve dhe pamjeve panoramike dhe që është bërë e njohur që kur atje u filmua një episod i serialit “Top Gear”.
Pak nga pak do të hyni në Parkun Kombëtar të Llogarasë, i karakterizuar nga bimësia, malet dhe liqenet dhe me ujë të pastër kristal në shumë raste.
Nuk mund të na mungojë as pjesa e bregdetit ku ndodhet Ksamili. Ndryshe nga pjesa më e madhe e bregdetit jonian të Shqipërisë, plazhet e saj janë me rërë të bardhë dhe ofrojnë perëndime unike.
Për sa i përket çmimeve që rrethojnë akomodimin, e vërteta është se ato janë çuditërisht të përballueshme. Kështu, në platforma të tilla si Booking, mund të gjejmë hotele, apartamente dhe bujtina për afërsisht 22 euro nata.
Sigurisht, sa më shumë t’i afrohemi bregut dhe sa më shumë komoditete të kërkojmë, çmimi do të rritet. Megjithatë, ka hotele me katër yje që ofrojnë dhoma për më pak se 100 euro.
Me pak fjalë, një alternativë më shumë udhëtimi jo aq e njohur nga shumica e njerëzve dhe spektakolare”, përfundon ”Vanitatis”.