Qeveria pritet që të miratojë shpërblim për punonjësit që morën pjesë në mbarëvajtjen e sigurisë në në finalen e Conference League, ndërmjet Romës dhe Feyenoordit, e cila u zhvillua në Tiranë më 25 maj. Report Tv mëson se sipas propozimit të bërë nga ministria e Brendshme, efektivët që ishin të angazhuara në këtë ndeshje do të marrin një rrogë shpërblim.

Policia e Shtetit hartoi një plan masash të detajuara për mbarëvajtjen e finales së Conference League, dhe u angazhuan në total 2800 punonjës policie.

Tirana ishte për dy ditë kryeqendra e futbollit Europian, pasi u zhvillua në stadiumin ‘Air Albania’ finalja historike e ‘Conference League’, në të cilën triumfoi ekipi italian i Romës kundrejt atij holandez të Feyenordit. Kryeqyteti i vendit, hapi dyert për të mirëpritur mijëra tifozë, ndërsa autoritetet në vend e shpallën ditë pushimi zyrtare dhe pa makina, ku akset kryesore u bllokuan dhe pjesa qendrore e qytetit u kthye në pedonale, në mënyrë që situata të ishte nën kontroll.

Të vënë në alarm nga përplasjet e 24 majit, mijëra uniforma blu zbarkuan në terren, për mbarëvajtjen e kësaj finalje europaine, duke treguar një organizim të shkëlqyer deri në përfundimin e ndeshjes. Hyrja e tifozëve në stadium u bë e ndarë me grupe dhe procedurat u zhvilluan pa vonesa, ndërsa efektivët kryen një kontroll të rreptë mbi tifozët, duke bërë që dita e ndeshjes të kalonte pa asnjë incident.