Përgjatë këtij sezoni veror turizmi i aventurës dhe veçanërisht itineraret me motora dhe biçikleta po tërheqin një numër në rritje turistësh, kryesisht të huaj, në Gjirokastër.

Për turistët të përshkosh me motora dhe biçikleta vlerat natyrore dhe monumentet e kulturës është mjaft interesante dhe tërheqëse.

Motoçiklistët e huaj, guida turistike

Gjatë këtyre ditëve Gjirokastra është kthyer në qendër të itinerareve turistike me motora sportivë. Mbërritja e vizitorëve të huaj me motora është një prej veçantive të këtij sezoni vere në qytetin e gurtë. Në mjaft raste turistët e huaj kanë preferuar që udhëtimin e tyre në drejtim të Gjirokastrës ti realizojnë me motora, duke i shtuar guidave të tyre edhe kënaqësinë e sportit të motoçiklizmit.

Të preferuara për ta janë guidat sportive me dyrrotësh përgjatë kalldrëmeve të gurta të zonës historike, në rrugët malore në pikat turistike etj.Motoçiklisti Martin Visher, nga Austria, është një prej atyre dhjetëra të pasionuarve pas dyrrotëshit, që po realizon një udhëtim në Shqipërinë turistike, përfshirë edhe zonën e Gjirokastrës. Prej 20 vitesh ai ndërmerr udhëtime me motor në vende të ndryshme të botës, ndërkohë që kësaj radhe në guidën e tij ka përfshirë për herë të parë Shqipërinë.

“Prej disa ditësh po kryej një udhëtim me motor në vendin tuaj”, thotë turisti austriak ndërsa tashmë viziton Shqipërinë i ulur në ndenjësen e një “Honda”.

“E kam nisur me Durrësin, vijon ai, kam mbërritur në Gjirokastër, do të vazhdoj me Korçën, Elbasanin, Tiranën, Shkodrën, etj”.

Mes të tjerash motoçiklisti nga Austria pohon se, gjatë këtij udhëtimi ka soditur një natyrë të bukur dhe të mrekullueshme, ka takuar njerëz mjaft miqësorë.

“Mendoj se vendi juaj i ka të gjitha kapacitetet për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, madje ai mund të jetë një sektor fitimprurës për Shqipërinë”, thotë mysafiri nga Austria.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në Gjirokastër ai ka përshkuar me “Honda” dyrrotëshe, disa prej zonave të qytetit, të cilat i kanë lënë mbresa të veçanta.

“Kam parë nga afër Pazarin e gurtë, thotë ai, kështjellën, disa prej shtëpive karakteristike dhe mendoj se janë mjaft të veçanta në mënyrën e ndërtimit dhe konceptimit të tyre arkitektonik”.

Mes të tjerash motoçiklisti austriak sugjeron që vlera të tilla duhen mirëmbajtur dhe restauruar pasi janë mjaft tërheqëse për turistët. “Një turizëm cilësor mund të sjellë të ardhura mjaft të mira për banorët e qytetit”, thotë austriaku Martin Visher, ndërsa premton se do të përfshijë sërish Gjirokastrën në udhëtimin e tij me motor.

Të përshkosh Gjirokastrën me biçikletë

Një prej llojeve të turizmit, për të prekur e parë nga afër pika të ndryshme turistike në Gjirokastër, peizazhet natyrore dhe monumentet e kulturës është udhëtimi me biçikletë.

Turet dhe guidat turistike me biçikleta, gjatë kësaj vere, po tërheqin vëmendjen e turistëve të shumtë, të cilët vizitojnë Gjirokastrën.

Një grup prej 10 turistësh nga Çekia, po udhëtojnë më biçikleta në vendin tone, ndërsa kanë vendosur që me dyrrotësh të përshkojnë edhe zonën e Gjirokastrës.

“Është diçka mjaft interesante të udhëtosh me biçikletë në qytetin tuaj të përshkosh rrugët dhe rrugicat e kalldrëmta”, shprehet njeri prej pjesëtarëve të këtij grupi.

Krahas Gjirokastrës mysafirët nga Çekia kanë udhëtuar me biçikleta edhe në rrethina, duke vizituar fshatrat e Lunxhërisë dhe Antigonesë.