E sotmja do të jetë dita e fundit e Ilir Metës në Presidencë! Duke filluar nga ora 19:30 Bajram Begaj merr detyrën si kreu i shtetit shqiptar në 5 vitet e ardhshme! Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit. Ndërkohë që në orën 19.30 ëshjtë parashikuar ceremonia e dytë, ajo në ambientet e Presidencës, aty ku bëhet dorëzimi i detyrës nga Presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri Begaj.
Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë Presidentit Begaj, kushtetutën e vendit, ceremonial që do të shoqërohet me 21 të shtëna topi. Ndërkohë, në rrugën që lidh sheshin ‘Skënderbej’ me atë ‘Nënë Tereza’ janë vendosur flamujt e Shqipërisë.
Në seancë pritet të marrin pjesë të gjitha grupet parlamentare, përvecc deputetëve të Sali Berishës. Partia Demokratike do të jetë e përçarë edhe në inaugurimin e Presidentit të ri. Report Tv raportoi dje se ‘grupi i Alibeaj’ do të marrë pjesë në seancë, ndërsa ‘Rithemelimi’ i Sali Berishës do të bojkotojë ceremoninë e betimit të kreut të ri të shtetit.
Vendimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, për të qenë të pranishëm, sipas burimeve nga PD, është marrë për të respektuar institucionin e presidencës, megjithëse bojkotuan votimin e tij më datë 4 qershor. Sipas Alibeajt, qëndrimi i tyre për Bajram Begajn është i qartë, ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës, jo gjysmën e shqiptarëve.
Presidenti në detyrë Ilir Meta, u vendos në krye të shtetit më 24 korrik të 2017, disa muaj pasi ishte zgjedhur me propozim të socialistëve, u votua në Kuvend vetëm nga mazhoranca, me 88 vota, në një kohë që opozita kishte dy muaj që bojkotonte. Shumë shpejt, Meta do të bëhej president i atyre që nuk ishin në kuvend për ta votuar, duke u rreshtuar hapur në krah të tyre. Që para se të betohej në atë detyrë ai u përfshi në fushatën e vitit 2017, në krah të kandidatëve të LSI dhe me flamurin e ish-partisë së tij, edhe pse ishte president i zgjedhur. Drejtimi i Presidencës u karakterizua nga përplasje të shpeshta me qeverinë
Bajram Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim). Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin, teksa nga opozita morën pjesë Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai nga PDIU, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho nga LSI dhe tre deputetë të PSD, Gertjan Deda, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi. Bajram Begës i duheshin 71 vota në këtë raund të katër, teksa ai arriti që të merrte 7 vota më shumë.
Pogrami i ceremonisë në presidencë
18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve
19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë
19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë
19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi
19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.
19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta
19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.
19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë
20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.