Shqipëria nuk është ende në pikun e valës së BA2. Sipas Drejtoreshës së ISHP, Eugena Tomini pritet rritje e rasteve me Covid për shkak të transmetueshmërisë së lartë të Omicron.
“Të mos paragjykojmë pikun e rasteve në ditë të caktuara të javës, është e rëndësishme ta ndjekim situatën në mënyrë dinamike, edhe në vijim pritet të ketë një rritje pasi kjo transmetueshmëri e parashikon atë. Valët kanë shkuar në 4-5 apo 6 javë. Ju e keni vënë re tashmë Covid ka treguar paparashikueshmëri”.
Për shkak të transmetueshmëri së lartë, ISHP ka dërguar mostra në laboratorin e referencës për të verifikuar prezencën e BA5 në Shqipëri. Por sipas Tominit, deri tani nuk ka konfirmim të tij. Për ekspertët edhe BA5 është nënvariant i Omicron dhe nuk paraqet agresivitet.
“Në nivel global Covid 19 ka një rritje në nivelin 3%, në nivel Europe, Covid 19 është në nivelin e 15 % dhe duke mbizotëruar pavarësisht prezencës së BA4 dhe BA5 mbizotëron kjo tendencë në rritje kundrejt BA2. Por jemi brenda klasës së Omicron, brenda nënlinjave apo nëntipeve të tij dhe sigurisht është BA4 apo BA5 e rëndësishme është që nuk është më agresiv”.
Edhe pse ka bashkëqarkullim të virozave, në Shqipëri dominon Covid.
“Aktualisht kemi një valë të nënvarianteve të Omicron dhe predominon ai aktualisht në Shqipëri, por duke theksuar se përkundër nënvariantit BA2 ashtu si edhe në Europë edhe në rajonin tonë, por edhe në Shqipëri ka mbizotërim. Pavarësish tendencës së dërgimit të mostrave në mënyrë sistematike drejt laboratorit të referencës. Theksojmë që kjo transmetueshmëri po tregon që prekja kryesisht e rrugëve të sipërme respiratore, e një klinike pak më të lehtë, por edhe në kuadër të një imuniteti apo mbrojtje tek popullata e përgjithshme”.
Për ekspertët vaksinimi mbetet një element kyç për imunizimin e popullatës dhe kalimin sa më të lehtë të sëmundjes në rast se bien në kontakt me virusin.