Kompania Kombëtare e Naftës e Iranit (NIOC) dhe kompania shtetërore ruse e energjisë, Gazprom, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në vlerë prej rreth 40 miliardë dollarësh, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve, SHANA.
Marrëveshja, e arritur më 19 korrik, përkoi me vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin, në Teheran. Lideri rus po merr pjesë në një samit me homologët e tij nga Irani dhe Turqia.
SHANA raportoi se Gazprom-i do t’i ofrojë mbështetje Kompanisë Kombëtare të Naftës së Iranit në zhvillimin e fushave të gazit në Kish dhe Parsin Verior, si dhe të gjashtë fushave të naftës.
Në dokument thuhet se Gazprom do të përfshihet, po ashtu, në përfundimin e projekteve të gazit të lëngshëm natyror dhe ndërtimin e tubacioneve për eksportin e gazit.
Irani është shteti i dytë në botë, pas Rusisë, me rezervat më të mëdha të gazit. Por, sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara i kanë pamundësuar Teheranit që të ketë qasje në teknologji dhe kanë ngadalësuar zhvillimin e eksporteve të gazit./REL/