Një avion mallrash, i cili sipas mediave greke dyshohet se kishte ngarkesë me rreth 12 tonë municione, është rrëzuar pranë qytetit të Kavala në Greqinë veriore në mbrëmjen e së shtunës.
Antonov-12 i operuar nga një kompani me bazë në Ukrainë po fluturonte nga Serbia dhe kishte destinacion Jordaninë. Ende mbetet e paqartë se sa persona kishte në bord dhe nëse ka të mbijetuar. Mediat greke thonë se në bordin e avionit, mund të kenë qenë 8 persona të cilët kanë vdekur.
Sipas FlightRadar24, avioni u nis nga Nishi, Serbi për në Amman, Jordani. Nisja u bë rreth orës 18:36 UTC dhe po kalonte detin Egje kur u kthye në drejtim të Greqisë në orën 19:29 dhe vetëm pak orë më vonë u rrëzua në një fushë pranë Kavalës.