Me rastin e nënshkrimit të protokollit dypalësh sipas nenit 12 të Marrëveshjes për Miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nga viti 2017, Qeveria bullgare përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se ka përfunduar një proces i vështirë i negociatave, ku dy Qeveritë kanë treguar guxim dhe vullnet politik për të tejkaluar mospajtimet.

Siç njoftojnë mediat bullgare, me këtë vendim, sipas Qeverisë së Sofjes, mbrohen të drejtat e bullgarëve në RMV dhe interesi kombëtar bullgar.

Në këtë dokument thuhet se fillon një faqe e re në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve dhe pret që të vazhdojë dialogu që ishte aktivizuar në fillim të vitit 2022 në fushat ekonomi, infrastrukturë, energjetikë, kulturë, arsim etj.

“Pa kufij mes nesh, por me respekt ndaj njëri-tjetrit – kjo është mënyra evropiane të zhvillohemi bashkë. Nuk kemi iluzione se me këtë janë zgjidhur të gjitha problemet midis dy vendeve. Por, ne besojmë se tashmë kemi një bazë të qartë, të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet evropiane, mbi parimet ku do t`i zgjidhim çështjet e ndërsjella”, deklaruan nga qeveria bullgare.

Njëkohësisht me nënshkrimin e protokollit dhe pas zbatimit të ndryshimeve adekuate kushtetuese, siç thuhet në deklaratë, hapet rruga e RMV-së drejt negociatave për anëtarësim në BE. Në Dokument thuhet se Bullgaria çdoherë ka qenë dhe do të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të politikës së zgjerimit të BE-së./INA