Kryetari i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli ka hedhur akuza ndaj kryetarit të bashkisë Shkodër Bardh Spahia, i zgjedhur nga ‘Rithemelimi’. Sipas tij, Spahia është duke larguar nga pozicione pune demokratët e vërtetë për qëllime politike e inate personale.
Amuli vijon shkrimin e tij në Facebook, duke i bërë thirrje kryetarit aktual që të ndalojë fushatën e shkarkimeve nga puna e demokratëve të cilët kanë kontribuar ndër vite në ato pozicione pune.
Ky largim sipasj tij vjen në vazhdën e shkarkimeve të demokratëve dhe profesionistëve, për të plotësuar orekset dhe premtimet elektorale të Koalicionit Shtëpia e Lirisë.
‘Kryetari i Bashkisë Shkodër,Bardh Spahia nuk po ndalet në sulmet kundër demokratëve të vërtetë.
Së fundmi ka shkarkuar nga detyra si drejtues i Qendrës së Zhvillimit një prej aktivistëve dhe kontributorëve të Partisë Demokratike ndër vite,Fatmir Vojvoda.
Fatmir Vojvoda vjen nga një familje e persekutuar nga ish-regjimi komunist dhe gjatë detyrës së tij është shquar për korrektesë me stafin e kësaj qëndre dhe profesionalizëm në shërbim të këtij komuniteti me problematika në planin mendor dhe fizik.
Ky largim vjen në vazhdën e shkarkimeve të demokratëve dhe profesionistëve, pa asnjë motivacion,por për qëllime politike dhe për të plotësuar orekset dhe premtimet elektorale të Koalicionit Shtëpia e Lirisë.
Që prej fillimit të mandatit Bardh Spahia ka larguar disa demokratë dhe drejtues të bashkisë Shkodër vetëm me qëllime politike dhe inate personale.
Partia Demokratike,dega Shkodër i bën thirrje Kryeatrit aktual Bardh Spahia që të ndalojë fushatën e shkarkimeve dhe largimeve nga puna të demokratëve të ndershëm të cilët kanë kontribuar ndër vite për fitoren e PD-së në qytetin e Shkodrës.
Politika e ndjekur nga Rithemelimi, Foltorja me këto largime, nuk do asesi bashkimin e demokratëve të ndershëm,por realizimin e politikave dhe objektivave personale të drejtuesve të këtij grupimi politik.’- shkruan Kreu i PD-së së Shkodrës.
Kujtojmë që Bardh Spahia mori drejtimin e bashkisë së Shkodrës zyrtarisht më 31 mars të këtij viti. Spahia ishte kandidati i Komisionit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha. Ai mundi në këtë garë kandidaten e PS, Majlinda Angoni si edhe kandidatin e PD-së, Xhemal Bushati.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i bashksië Shkodër përballet me këto akuza, ai ka firmosur shkarkimin e 2 administratorëve më 14 prill, atij të njësisë Administrative të Postribës, Altin Shabaj dhe atij të Dajçit, Gjovalin Darragjati. Duhet theksuar se administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës.