Në interpelancën parlamentare të ditës së sotme lidhur me Skemën Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi për vitin 2022, ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Frida Krifca, ka treguar shifrat e deritanishme të aplikimeve dhe përfituesve nga sektorët e bujqësisë, blegtorisë, serat diellore, bimët medicinale, bletari dhe peshkim.
Sipas ministres Krifca “Skema Kombëtare e Mbështetetjes” përbëhet nga 13 masa të ndryshme në bujqësi, ku masa e mbështetjes me naftë ka fondin më të lartë të alokuar me 14.5 milion dollarë. Për skemën e naftës kanë aplikuar 49,654 fermerë nga të cilët aktualisht kanë përfituar naftë 26.000 fermerë, apo thënë ndryshe janë shpërndarë rreth 6 milionë litra naftë që kanë mbështetur në total prodhimin në 90 mijë ha tokë, nga e cila mbi 27 mijë ha të mbjellë me misër, 16 mijë ha të mbjellë me grurë, dhe po kaq bimë foragjere.
Ministrja Krifca gjithashtu tregoi shifrat e deritanishme të përfitimit së masave të tjera mbështetëse. Sipas saj bilanci i deritanishëm i përthithjes së Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori për vitin 2022 tregon se deri tani është injektuar në 3 muaj buxheti i vënë nw dispozicion ndaj fermerëve për të gjithë vitin e kaluar.
Deri më sot 30 mijë fermerë përfitues kanë përthithur 21 milion dollarë në mbështetje të drejtpërdrejtë e në mënyrë direkte nga kjo skemë. Dhe llogaritet që indirekt skema prek trefishin e numrit të fermerëve.
Ndërkohe skema vazhdon përthithjen dhe disbursimin deri në 31 Dhjetor të ketij viti, datë kur mund të bëhet një bilanc përfundimtar.