Kushdo që ndjehet i mërzitur nga çelja e negociatave, ka një mënyrë të mos kuptohet. Ajo është të mos flasë. Sot që Shqipëria u ngjit në altarin e martesës së saj me Bashkimin Evropian, këto vajtimet e tipit “sa shumë jemi vonuar” ngjajnë si klithma dëshpërimi.

E dimë që jemi vonuar për dhjetëra arsye tonat dhe të Bashkimit Evropian, për historinë tonë dhe historinë e BE, për identitetin tonë dhe atë të BE, dhe mbi të gjitha për shkak të udhëheqësve tanë dhe atyre të BE.

Por sot ja kemi arritur ditës dhe nuk kemi arsye të vajtojmë, në qoftë se nuk jemi të dëshpëruar nga çelja e negociatave.

Dhe ka dy lloj nga këta që shprehin mërzitjen.

I pari dhe më i sinqerti është Sali Berisha, i cili në deklaratën e tij akuzoi Bashkimin Evropian se pranoi të hapë negociatat me Shqipërinë, në një kohë kur “Edi Rama ka vendosur në Shqipëri monizimin e plotë, pushtetin një partiak, të njëjtë me janarin e vitit 1990”.

Pra ky e trajton çeljen e negociatave si hakmarrje të Bashkimit Evropian ndaj grupit të tij politik, dhe gati sa nuk thotë se BE po rikthen komunizmin në Shqipëri.

Ky ka të drejtë, pasi ndryshe nga të tjerët, është opozita anti-perëndimore e Shqipërisë. Pra ai nuk është në opozitë me Edi Ramën si individ apo rival, por është në opozitë me politikën pro-perëndimore të Shqipërisë, pasi është një person “non grata” në Perëndim.

I gjithë shtypi nën kontrollin e tij ka përsëritur vajtimin e tij. Pashë disa televizione që kontrollohen prej tij, që kishin bërë “fletërrufe” të gjata, a thua se Shqipërinë e ka pushtuar një fuqi e huaj, dhe jo që ka nisur negociatat me BE, dhe për këtë fajësonin Edi Ramën.

Në ditën kur i kemi realizuar të gjitha qëllimet drejt BE, një vajtim i tillë është thjesht dëshpërim thellë. Se mund të ketë plot të mërzitur që heshtin, por këta që qajnë, nuk e mbajnë dot veten.

Ka dhe një kategori tjetër pastaj që dëgjojnë këtë vajtimin e Sali Berishës për hapjen e negociatave, dhe mendojnë se duhet të thonë dhe ata disa vërejtje për vonesën, a thua që nuk e dinë gjithë shqiptarët sa të vonuar jemi në këtë process, për të gjithë arsyet që përmendëm më lart.

Problemi i Shqipërisë është të ruajë rrugën drejt Perëndimit dhe të mos dorëzohet, por që do jetë rruga e gjatë, duhet të jemi të qartë të gjithë.

Shqipëria nuk është sot një vend më i mirë pse u desh të ishte Edi Rama kryeministër në ceremoninë e çeljes së negociatave. Shqipëria është sot një vend më i mirë, më i sigurtë, më perëndimor dhe brenda familjes së saj historike, pikërisht se nuk është më në dorë vetëm të politikanëve të saj.

Çelja e negociatave me Bashkimin Evropian, ja heq nga duart Shqipërinë politikanëve shqiptarë. Ata janë sot për Shqipërinë, më pak sovranistë se në shtëpinë e tyre.

Dhe kur them politikanë shqiptarë, kam parasysh këta që janë në një vijë me Bashkimin Evropian. Kam parasysh Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij, dhe gjithë spektrin e partive të vogla opozitare që janë pro- evropiane.

Nuk kam parasysh Sali Berishën. Atë na e ka hequr Evropa fare nga lista e ofertave dhe sot ai përfaqëson opozitën anti-perëndimore të Shqipërisë. Nëse këta të tjerët e kanë opozitën me Edi Ramën dhe mirë bëjnë që e kanë me të, Sali Berisha e ka me Shqipërinë, që prej sot e tutje është nën sovranitetin e Perëndimit, që atë e ka shpallur armik.

Ai e ka betejë reale dhe të sinqertë, por natyrisht të humbur. Të tjerët mund të gëzojnë lirshëm. Shqipëria prej sot ka bashkuar fatin me Perëndimin. Askush nuk ka fuqi t’ia ndryshojë më kursin e historisë. As këta që janë në pushtet, as ata që janë në opozitë me pushtetin.

Kurse ata që janë në opozitë me Perëndimin, të bëjnë kujdes për fatin e tyre!