Qeveria ka vendosur të rrisë fondet në mbështetje të fermerëve për këtë vit, duke adresuar një buxhet shtesë prej 1.2 miliardë lekë në Skemën Kombëtare të këtij viti 2022.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “qeveria ka miratuar sot një vendim shumë të rëndësishëm dhe shumëpritur nga fermerët, peshkatarët, blegtorët që ka të bëjë me rritjen e masës së financimit për Skemën Kombëtare për 2022”.

“1.2 miliardë lekë është fondi që i shtohet buxhetit të Skemës Kombëtare të këtij viti. Nga 3.7 miliardë lekë e çojmë fondin e subvencioneve në bujqësi në vlerën 4.9 miliardë lekë që është buxheti më i madh si asnjëherë më parë adresuar në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve”, tha Krifca.

Duam të vijmë në ndihmë fermerëve për uljen e kostove të prodhimit, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë të inflacionit të rritur në tregjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Krifca vuri në dukje se pavarësisht vështirësive, fermerët ia kanë dalë dhe bujqësia ka ndjekur trendin në rritje të prodhimit dhe eksporteve.