Ndërsa një pjesë e Bashkimit Evropian po përballet me reduktime të furnizimeve me gaz nga Rusia, vendet anëtare të BE-së miratuan propozimin që vullnetarisht të ulin konsumin e gazit me 15 për qind nga gushti deri në mars të vitit të ardhshëm.
Synimi i këtij projektligji është kursimi i gazit për sezonin e dimrit, nga frika se Rusia do ta ndërpresë plotësisht furnizimin si hakmarrje për sanksionet perëndimore që pasuan sulmin e Moskës kundër Kievit.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për kursim të gazit natyror, si masë mbrojtëse në rast të ndërprerjeve të furnizimeve nga Rusia gjatë sezonit të dimrit, ndërsa sulmi i Moskës kundër Ukrainës vazhdon.
Ministrat e energjisë miratuan një projektligj që synon uljen e konsumit të gazit me 15 për qind nga gushti në mars. Ligji i ri parasheh hapa vullnetarë të vendeve për të reduktuar konsumin e gazit, por që në një situatë urgjente, blloku 27-anëtarësh mund të marrë masa të detyrueshme.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e mirëpriti lëvizjen e re.
“BE-ja bëri hapin vendimtar për të përballuar kërcënimin e një ndërprerje të plotë të gazit nga presidenti Putin”, tha ajo në një deklaratë.
Të hënën, kompania ruse e energjisë “Gazprom” njoftoi kufizim të furnizimeve të BE-së përmes gazsjellësit Nord Stream 1 me 20 për qind, gjë që ka rritur shqetësimet se presidenti rus Putin do të shfrytëzojë gazin për të sfiduar qëndrimin e bllokut ndaj luftës në Ukrainë.
“Dimri po vjen dhe ne nuk e dimë se sa ftohtë do të jetë. Por ajo që dimë është se Putini do të vazhdojë lojërat e tij të pista, duke keqpërdorur dhe shantazhuar me furnizimet e gazit”, tha ministri i industrisë në Republikën Çeke, Jozef Sikela.
Marrëveshja e ministrive u arrit në më pak se një javë. Ajo bazohet në një propozim të prezantuar javën që shkoi nga Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së. Për të mbajtur një front të bashkuar të BE-së për konfliktin në Ukrainë, lufta që nuk po tregon shenja përfundimi, komisioni tha se kursimi i gazit do t’i mundësonte bllokut në tërësi të kalonte dimrin edhe nëse Rusia do t’i ndalonte të gjitha dërgesat e gazit.
Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt dhe Perëndimi u kundërpërgjigj me sanksione ekonomike, 12 vende të BE-së janë përballur me ndalim ose reduktim të furnizimeve të gazit rus.
Megjithëse ka rënë dakord për vendosjen e embargos për naftën dhe qymyrin rus, duke filluar nga fundi i këtij viti, BE-ja është treguar më e përmbajtur për të vënë sanksione ndaj gazit natyror rus, sepse Gjermania, Italia dhe disa vende tjera anëtare varen shumë nga këto importe.
“Gjermania bëri një gabim strategjik në të kaluarën duke krijuar varësi të madhe ndaj gazit rus, duke besuar se ai do të rrjedhë vazhdimisht dhe me çmim të ulët”, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck.
Ndërprerjet e furnizimeve ruse të energjisë po nxisin rritje të inflacionit, tashmë në vlera rekorde në Evropë, dhe po kërcënojnë të shkaktojnë recesion në bllokun që ishte në rimëkëmbje e sipër nga dëmet e shkaktuara nga pandemia.
Plani për racionimin e energjisë ishte një provë rreth koordinimit të politikave të BE-së.
Ndërsa BE-ja ka autoritet mbi vendet anëtare sa u përket politikave monetare, tregtare dhe atyre bujqësore, vendet vazhdojnë të kenë pavarësi sa u përket çështjeve të energjisë.
Ministrat e energjisë hoqën një dispozitë nga projektligji për gazin, që do t’i jepte Komisionit Evropian fuqinë për të kaluar nga masat vullnetare në ato të detyrueshme.
Megjithatë, marrëveshja e së martës shënon një moment historik në integrimin e politikave të BE-së dhe menaxhimin e krizave./ VOA